Me 62 vota “për”, 44 “kundër” dhe 5 “të përmbajtur” Kuvendi i Republikës së Maqedonisë zgjodhi mbrëmë vonë Qeverinë e re të udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev. Lideri i LSDM-së në deklaratën e parë si kryeministër, u shpreh i bindur se të gjithë së bashku do të bashkëpunojnë për interesat e të gjithë qytetarëve, duke shtuar se ai dhe kabineti i tij kanë nevojë për mbështetje të opozitës për reformat që janë në të mirën e qytetarëve. Ndërkaq, para votimit të Qeverisë, në fjalimin e tij në foltoren e kuvendit, Zaev u është përgjigjur kritikave të deputetëve dhe më pas ka vazhduar të paralajmërojë reformat të cilat, siç tha ai, do të jenë imperative për Qeverinë e re.
“Nëse dikush guxon të intervenojë, ndikojë mbi prokurorinë ose gjykatësit, më mirë vetë le të jap dorëheqje, sepse unë do të kërkoj shkarkimin e tij. Larg duart e politikanëve në drejtësi dhe gjyqësi. Kam dhënë garanci të shkruar, sepse askush nuk kërkoi të rrezikohet unitariteti dhe integriteti i shtetit. Në emër të gjithëve sigurova se nuk do preket sistemi unitar”, ka deklaruar Zoran Zaev, Kryeministër.
Paraprakisht, në foltoren e Kuvendit, mbajti fjalimin e tij, ish kryeministri dhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili tha se për 10 cikle zgjedhore populli i ka dhënë mbështetje VMRO-së, dhe për po aq herë LSDM ka marrë humbje. Gruevski numëroi edhe një sërë gjërash të cilat i paraqiti si arritje të partisë së tij.
“Në këto besime në gënjeshtrat e tyre, dua ta kujtoj LSDM-në se çka na la dhe çka lamë ne. Do t’u kujtoj se në 2006 ne gjetëm 1 milion euro dhe që në muajin e parë u ballafaquam me bllokadë të llogarisë. Tani e lëmë buxhetin të mbushur. Gjetëm ligj për TVSH që në çdo sektor ishte rritur dhe i ulëm në 5 për qind, TVSH për barna, transport, kompjuter, turizëm, i ulëm ne nivel që Maqedonia vitin e kaluar ishte vendi me tatim më të ulët në botë”, ka thënë Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Ndërkaq përpara këtyre dy të fundit, në foltoren e Kuvendit u paraqit edhe kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, i cili theksoi se Lëvizja BESA ka kërkuar që të merren vesh se si do të udhëhiqet shteti dhe jo si të ndahet pushteti. Ndërkaq, duke folur mbi pjesëmarrjen e BDI-së në Qeverinë e re, Kasami tha se BDI është pjesë e qeverisë pasi frikësohen nga e kaluara e tyre. Qeverinë e re të Zoran Zaevit, e përbëjnë Radmilla Shekerinska, e cila është zgjedhur për Ministre të Mbrojtjes, Oliver Spasovski, Ministër I Punëve të Brendshme, Robert Allagjozovski, Ministër i Kulturës, Nikolla Dimitrov, Ministër i Punëve të Jashtme, Milla Carovska, Ministre për punë dhe politikë sociale, Dragan Tevdovski, Ministër i Financave, Renata Deskovksa Ministre e Arsimit dhe Shkencës, Goran Sugarevski, Ministër për Transport dhe Lidhje, Lupço Nikollovski Ministër i Bujqësisë, Damjan Mançevski, Ministër i shoqërisë informatike dhe administratë, Bylent Saliu, Ministër I Drejtësisë, Sadulla Duraku, Ministër I mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Kreshnik Bekteshi, Ministër I Ekonomisë, Suhejl Fazliu Ministër i Vetëqeverisjes Lokale, Arben Taravari do të udhëheq me Ministrinë e Shëndetësisë.
Për zv/kryeministra janë zgjedhur Koço Angjushev, zv/kryeministër për çështje ekonomike, Bujar Osmani për eurointegrime, Hazbi Lika për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive. Ndërkaq për Ministra pa resorë janë zgjedhur, Edmond Ademi, Robert Popovski, Adnan Qahil, Samka Ibrahimovski, Zoran Shapuriq dhe Zorica Apostollovska.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Maqedonia ka Qeveri të re, ja të gjitha detajet by tvshenjaofficial