Me rastin e 1 qershorit “Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve”, fëmijët e të gjitha moshave kërkojnë të jenë të lumtur dhe këtë ditë ta shënojnë në shoqërinë e prindërve të tyre, në gëzim e harmoni. Por, këtë fat nuk e ndajnë shumë fëmijë të Maqedonisë të cilët për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike të familjeve të tyre janë të detyruar të dalin e të lypin në rrugë, të ushqehen nga kontejnerët dhe të mos ndjekin thuajse as edhe një ditë shkollë. Një jetë më të mirë bëjnë fëmijët e strehuar në fshatin “SOS” për të cilët kujdesen nënat kujdestare duke ju ofruar kushte njëjtë sikurse në shtëpi. Për momentin në këtë fshat janë të strehuar rreth 100 fëmijë.
Fshati i fëmijëve “SOS” ka një program që mbështet jo vetëm strehimin e fëmijëve. Për momentin në kuadër të programit për strehim ka rreth 100 fëmijë të strehuar pa përkujdesje prindërore. Gjithashtu, ndihmojmë dhe u japim mbështetje familje me gjendje të rëndë sociale, ato janë fëmijë që rriten me prindërit e tyre biologjik por fatkeqësisht kanë vështirësi të shumta që të pavarësohen dhe të vazhdojnë më tutje– tha Aleksandra Ivanovski, drejtore e fshatit të fëmijëve “SOS”.
Ndërkohë nga ambasada e parë e fëmijëve “Megjashi” bëjnë të ditur se në SOS linjën telefonike të ambasadës kanë kërkuar ndihmë 4 fëmijë lidhur me shkeljen e të drejtave të tyre.
Dita ndërkombëtare e fëmijëve është kthyer jo vetëm në një ditë feste, por edhe në një ditë sensibilizimi, për t’i thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve. Në fakt, 1 qershori e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Në vitin 1925 konsulli i përgjithshëm Kinez në San Francisko mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetim kinezë që të celebronin në festivalin e Anijes së Dragoit .
Melihate Rustemi