Shumë shpifje dhe akuza janë thënë dhe janë shkruar ditët e fundit lidhur me vendimin e Lëvizjes BESA për të mos votuar qeverinë. Asnjëra prej këtyre shpifjeve dhe akuzave të rrejshme nuk na ka prekur personalisht, sepse ndërgjegja jonë është e pastër. Por jemi të prekur shumë nga tentimet e ulëta për të manipuluar opinionin shqiptar, si nga mediumet poashtu edhe nga disa politikanë. Jemi të prekur që ende ka mediume dhe politikanë që opinionin shqiptar e shikojnë nga prizmi i armiqve tanë sllavë, që neve shqiptarëve na konsiderojnë naivë dhe lehtë të manipulueshëm. Ju garantoj se kanë gabim, e tregojnë vetëm naivitetin e tyre. Opinioni shqiptar nuk i ka besuar asnjërës prej këtyre shpifjeve, sepse e din të vërtetën shumë më mirë që e dini ju, bashkë me ata që shpifni dhe gënjeni bashkërisht.
Sa për sqarim dhe për të mos ju lënë vend spekulimeve dhe manipulimeve, po theksojmë edhe një herë:
Vota jonë e përmbajtur për qeverinë e re është votë kundër pjesës së VMRO-DPMNE-së në këtë qeveri, e përfaqësuar përmes partnerit të saj 9 vjeçar. Kundër tyre votuan mbi 150 mijë shqiptarë në zgjedhjet e 11 dhjetorit, prandaj ne nuk mund të veprojmë ndryshe nga vullneti i tyre, i shprehur në mënyrë shumë të qartë. Nuk ka miliona, poste ministrore ose beneficione që mund të na detyrojnë të votojmë kundër vullnetit të votuesve tanë.
Vota jonë e përmbajtur ndaj kësaj qeverie është votë kundër mbijetimit të strukturave të VMRO-DPMNE-së te pjesa shqiptare e Maqedonisë. Shqiptarët në përqindje shumë më të madhe votuan kundër regjimit VMRO-BDI, prandaj është e padrejtë që pikërisht pjesa shqiptare e Maqedonisë të vazhdojë të mbetet në kthetrat e këtij regjimi, tashmë të pëqafuar edhe nga LSDM.
Ne nuk kemi kërkuar vota nga shqiptarët për të votuar Nikolla Gruevskin, prandaj nuk mund të votojmë as për ministrin e tij të disiplinuar dhe besnik, Bujar Osmanin, i cili ndante qëndrimet e njëjta me Gruevskin edhe në momente të vështira, siç ishte rasti i montuar “Monstra”. Ne që në ditën e parë u kemi premtuar votuesve tanë se do të angazhohemi për rrënimin e Jankullovskës, Stavrevskit, Janakievskit, Kançveska Milevskës, e të tjerëve. Prandaj nuk mund të votojmë partnerët e tyre të BDI-së, që shpeshherë, nëse jo çdo herë, silleshin si dega më lojale e VMRO-DPMNE-së.
BESA ishte partia e parë e cila i ofroi partneritet LSDM-së dhe Zoran Zaevit për të rrëzuar regjimin VMRO-BDI. Ne ishim të bindur se kjo parti nuk ka harruar kontributin e BDI-së në ndërtimin e regjimit 9 vite të plota. Mirëpo ai fatkeqësisht tregoi se njëjtë si politikanët paraardhës maqedonas nuk i sheh shqiptarët si partnerë, por i dëshiron si shërbëtorë. Të dëgjueshëm, të nënshturar, të korruptuar dhe të incizuar. LSDM dhe Zaevi treguan se ekziston një interes më i madh te maqedonasit, për hir të cilit BDI-së mund t’i falet gjithçka që ka bërë në të kaluarën, qoftë edhe nëse ka dëmtuar edhe votuesit e tyre. Nëse mendojmë pak, është lehtë të kuptohet se cili është ai interes mbipartiak i subjekteve maqedonase për të ruajtur me çdo kusht BDI-në në skenë, por ju bindi se ai interes nuk është interes i shqiptarëve të Maqedonisë dhe nuk është as interes i Maqedonisë.
Do të kishim dashur të dëgjojmë nga përfaqësuesit e Aleancës për Shqiptarët se si do të arsyetohen para votuesve të tyre, nëse nesër pasnersër i pyesin pse i votuat ministrat e BDI-së, për të cilët vazhdimisht keni thënë se janë kriminelë, tradhtarë, të korruptuar dhe amoral? Votuesit tanë, njëjtë sikurse votuesit tuaj nuk do të besojnë nëse u thuhet se po futemi në qeveri me “kriminelët” për çështje madhore. Votuesit tanë, njëjtë sikurse të gjithë votuesit shqiptarë e dinë se çështja e vetme madhore e kriminelëve është krimi.
Edhe ne mund të bëheshim pjesë e qeverisë, duke hequr dorë nga parimet tona dhe të ju themi votuesve tanë, njëjtë si kolegët nga Aleanca për Shqiptarët, se po votojmë për çështje madhore, mirëpo e dimë se ata nuk do të na besojnë. Nuk do të na besojnë as neve, as juve, as Zaevit që kërkoi vota shqiptare, se çështje madhore mund të realizohen me persona të cilët me gojë plot i kemi akuzuar korrupsion, amoralitet dhe tradhti.
Do të ndihen të ofenduar, njësoj sikurse që ndihen edhe votuesit shqiptarë të Aleancës, LSDM-së dhe çdo partie tjetër. Do të na zbulojnë se një sqarim i tillë do të ishte tentim për manipulim, njëjtë sikurse ju kanë zbuluar edhe juve.
Sidoqoftë për neve sot është festë. Pjesa më e madhe e VMRO-DPMNE-së po rrëzohet. Pjesa tjetër, që po mbetet në pushtet, sado besnike që është ndaj Gruevskit dhe Mijallkovit, është tepër e vogël që të mund të mbijetojë pa partinë amë. I kotë dhe i dështuar do të jetë çdo tentim, qoftë nga Zaevi, qoftë nga Shekerinska, Cërvenokvski, Pendarovski ose Spasosvki, për të ringjallur një strukturë të cilën shqiptarët veçmë e kanë dërguar në histori.