Në fjalimin e tij para votimit të Qeverisë së re, mandatari dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, u është përgjigjur kritikave të deputetëve. Mes tjerash Zaev foli për çështjen e emrit, ku tha se vendimet do të merren në konsultim me opozitën, dhe gjithçka do duhet të vërtetohet në referendum, por në drejtim të zgjidhjes, e jo të bllokimit të çështjes.
Duke u përgjigjur kritikave se kabineti qeveritar ka shumë ministri, Zaev tha se kjo është kështu shkaku i sigurimit të një shumice, dhe se një kabinet me më pak ministri, do të rrezikonte shumicën e re.
“Nëse dikush guxon të intervenojë, ndikojë mbi prokurorinë ose gjykatësit, më mirë vetë le të jep dorëheqje, sepse unë do të kërkoj shkarkimin e tij. Larg duart e politikanëve në drejtësi dhe gjyqësi. Kam dhënë garanci të shkruar, sepse askush nuk kërkoi të rrezikohet unitariteti dhe integriteti i shtetit. Në emër të gjithëve sigurova se nuk do preket sistemi unitar”, tha Zaev.
Duke e komentuar fjalimin e Gruevskit, Zaev tha se ai ka pasur një diskutim pozitiv, por se ka përsëritur gjërat të cilat po i thotë në muajt e fundit. Zaev tha se do të vërtetojë se Gruevski nuk ka të drejtë. Megjithatë, Zaev e falënderoi edhe Qeverinë në ikje. /SHENJA/