Edhe pas 18 viteve në Maqedoni, numër i madh i refugjatëve kosovar të etnitetit rom nuk kanë dokumentacion dhe nuk janë të regjistruar. Këtë shqetësim e shfaqi sot Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, i cili deklaroi se edhe pse këto persona duhet të gëzojnë mbrojtje ndërkombëtare, ato kanë status të parregulluar juridik dhe ju jepet karton të verdhë me të cilin u shtyhet kthimi në vendin amë, por edhe u kufizohet qasja dhe realizimi i të gjitha të drejtave në Maqedoni.
“Këta persona jetojnë në kushte të vështira, pa mjete për ekzistencë, pa mbrojtje shëndetësore, pa mundësi për fitimin e numrave amë për fëmijët e tyre dhe realizimin e të drejtave të tjera. Në mesin e këtyre personave ka refugjatë të cilëve Sektori për Azil, u lëshuan dokument me të cilin personi gjendet në periudhë të suspenduar të kthimit”, ka deklaruar Ixhet Memeti, avokat i popullit.
Avokati i Popullit e tregoi edhe shembullin e një vajze që ka ardhur në moshën 13 vjeçare, nëna e së cilës ka prejardhje nga Maqedonia, e cila para luftës ka shkuar të jetojë në Kosovë, është kthyer në Maqedoni gjatë luftës. Edhe tash pas 18 viteve nuk i japin numër amë edhe pse është bërë nënë me katër fëmijë të lindur në Maqedoni. Memeti thotë se Qendra për Integrimin e Refugjatëve dhe të Huajve njofton se 499 persona kanë kërkuar njohjen e të drejtës për azil, ndërsa sipas të dhënave të marra nga UNHCR-ja, gjithsej janë 604 refugjatë nga Kosova, 154 prej tyre janë me karton të verdhë, dhe 1/3 e tyre janë fëmijë.
“Informatat tona të siguruara nga hulumtimet e sektorit joqeveritar flasin se vetëm në mesin e romëve dhe atë në Shkup ka 900 persona të rritur dhe mbi 3000 fëmijë janë pa kurrfarë dokumenti, ta zëmë se është e saktë, është më tepër se shqetësuese. Shtohet pyetja, cila është gjendja në krejt shtetit? Këtë problem do ta hulumtojmë”, tha më tej Mehmeti.
Në konferencën e sotme, Avokati i Popullit njoftoi se për momentin po e udhëheqin një procedurë për readmisimin e refugjatëve nga Maqedonia në Greqi. Në këtë rast Ombudsmani dyshon se ka ndodhur kthim i dhunshëm dhe jolegal.
Mefail Ismaili /SHENJA/
Avokati i Popullit: Refugjatët e Kosovës, 18… by tvshenjaofficial