Deputeti i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, në fjalimin e tij në Kuvend tha se pjesa më e ligë dhe më e madhe e regjimit përfundimisht po bie, porse është edhe një pjesë që akoma nuk ka rënë. Duke folur për ministrat e propozuar nga BDI-ja, Ibrahimi pyeti Zoran Zaevin se a e din dallimin mes reformës dhe riciklimit, duke shtuar se siç duket, arsyeja për mos arritjen e marrëveshjes mes BDI-së dhe Lëvizjes BESA, është kushti i BESËS për të mos pasur ministra të korruptuar.
“I nderuari z. Zaev, ju vetë e kishit thënë se Prokuroria Speciale Publike e ka gati padinë për ish ministrin e shëndetësisë të kohës së Nikolla Gruevskit! Andaj sot u pyes, a e la hequr ajo padinë, apo ju e keni falur? I nderuri z. Zaev, a më tregoni se çfarë është ajo që e lidhë fjalën Reformë me këto kuadro të BDI-së?”, tha deputeti i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi.
Ibrahimi pyeti nëse me ministrat e propozuar nga BDI-ja, shqiptarëve u jepet një mesazh se mund të vjedhin dhe të korruptohen sa të duan, dhe në fund Zaevi t’ua lan gjynahet dhe t’i bën ministra.
“I nderuari z. Zaev, në qoftë se ju e keni marrë rolin e shenjtorit që falë mëkate, pse nuk e falni edhe Blerim Bexhetin, Musa Xhaferin dhe Abdylaqim Ademin? Sepse të njëjtë janë”, theksoi Ibrahimi.
Ibrahimi theksoi se ngjashëm si me kryeparlamentarin, edhe me ministrat e imponuar me dosje penale, kjo qeveria do të jetë e kapur nga BDI-ja e, rrjedhimisht, nga VMRO-ja. Ai ka thënë se do të kishte dashur shumë të votojë për këtë kabinet qeveritar, por nuk mund të votojë kundër vetvetes, duke i legjitimuar personat e korruptuar dhe të inkriminuar.
Abdulla Berisha /SHENJA/
(VIDEO) Ibrahimi pyet Zaevin: Çfarë është ajo… by tvshenjaofficial