30.052017
Për ministrin e ri të eurointegrimeve, Bujar Osmani dhe disa emra të tjerë të BDI-së, në vitin 2015, Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev pat deklaruar se janë ngritur padi. Këtë, ky i fundit e ka pohuar i ftuar para dy vitesh në një emision të drejtuar nga Muhamed Zekiri, në Tv Shenja. (Shih video e mëposhtme).
Në ndërkohë, tani kur duhet ta merr postin e Kryeministrit, Zoran Zaev ka premtuar një qeveri reformatore, duke thënë se të gjithë ministrat do të vihen nën thjerrëzën e PSP.
Lidhur me këtë, Prokurorja Speciale Lençe Ristovska, tha se kjo prokurori do të veprojë, sapo të pranojë kërkesë për të bërë diçka të tillë.
E nënkryetari i LSDM-së, Petre Shilegov, për Almakos.com, tha se kjo parti ka qëndrim të prerë. Sipas tij, pasi të dërgohet kërkesë deri tek PPS-ja dhe kur kjo e fundit të verifikojë emrat që janë propozuar për të drejtuar ministritë, nëse ndonjë prej tyre është person i inkriminuar, nuk do të jetë pjesë e qeverisë se re.
Qëndrim kërkuam edhe nga BDI. Zëdhënësi i kësaj partie,Bujar Osmani ishte në Kuvend dhe s’mund të përgjigjej menjëherë, por as në pushimin një orësh nuk gjeti kohë të përgjigjet në pyetjet tona.
A mund të bëhet pengesë në zbatimin e reformave, përfshirja në qeveri e personave, ndaj të cilëve, sipas kryetarit të LSDM, është ngritur padi?!
Për analistin Xhabir Ahmeti, Zaev është një politikan i guximshëm, siç rrallë gjenden. Megjithatë ai shprehet skeptik në mundësitë që lideri i LSDM-së do të ketë për zbatimin e reformave në gjyqësor dhe polici.
Ndërsa për ekipin e BDI-së, Ahmeti thotë se ky ekip i propozuar është libër I lexuar nga qytetarët, e posaçërisht nga intelektualët dhe nuk kanë çfarë të ofrojnë.
(Zoran Zaev në emsion në Tv Shenja, në vitin 2015)
Almakos.com
Evi Shkopi