30 May
Rikthehet deponia jo legale në Tetovë. Pavarësisht se dy muaj më parë autoritetet ndërmorën masa për largimin e mbeturinave, deponia kthehet sërish edhe atë me intensitet edhe më të madh. Që problemi të jetë më i rëndë, me rritjen e temperaturave, ka filluar edhe kundërmimi i erës së keqe, gjë kjo që shkakton probleme për banorët që jetojnë afër deponisë. Nga frika e ndonjë sëmundje banorët madje nuk dalin as në rrugë.
“Të revoltuar tejmase, banorët e kësaj lagje refuzojnë të dalin para kamerës, duke u shprehur se, prononcimin e tyre do e bëjnë në prokurori. Ata gjatë kësaj jave pritet që të ngenë edhe padi kundër organeve kompetente, kundër këtij helmimi, siç thonë ata, që iu bëhet në mes të lagjes”.
Nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova fajësojnë kompaninë e cila duhet të sjellë 4 kontejnerët me presion.
Është e vërtetë, por, fajtor nuk është ndërmarrja publike komunale për mosardhjen e kontejnerëve me presion. Ne thamë që në mesin e muajit maj do vinë por na u tha prej ndërmarrjes që është fitues i tenderit se do të ketë një vonesë prej dy deri tre javësh – deklaroi Nazif Jashari NPK Tetova-Tetovë.
Por nga kompania Tekniks hedhin poshtë akuzat e përfaqësuesve të Ndërmarrjes Publike duke shtuar se problemi qëndron tek financat.
Mos i japim kahe të ndryshme kësaj pune, kontejnerët nesër ngarkohen dhe brenda pesë ditëve janë në funksion – tha Sefedin Mustafa, TEKNIKS.
Përse nuk kanë ardhur deri tash?
Tani kemi pasur njëfarë kontesti financiar por tani e kemi rregulluar këtë çështje dhe besoj shpejt do vihen në funksion – u përgjigj Mustafa.
Nga ana tjetër disa banorë të pandërgjegjshëm, mbi urën në hyrje të qytetit, gjatë natës hedhin mbeturina të forta, gjë kjo që rrezikon edhe shembjen e urës.
Bashkim Sulejmani