Që mbrëmë, kur kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti shpalosi emrat e ministrave nga radhët e partisë së tij, në rrjetet sociale ka pasur komente të shumta, fjalë me thumb dhe shprehje të mosbesimit. Komentuesit shprehin dyshime nëse ministrat e partnerit shumëvjeçar të Nikolla Gruevskit mund të sjellin ndyshime pozitive në qeverinë reformatore të Zoran Zaevit. Këtë pamundësi e thekson analisti Visar Ademi, në komentin e tij në Facebook.
“Thonë që më e kënaqur nga përzgjedhjet e ministrave është VMRO-ja. Ajo paska numrin më të madh të përfaqësuesve të saj në qeverinë ‘reformatore’ të Zaevit”, ka shkruar Visar Ademi.
Edhe Arsim Sinani ironizon lehtësinë me të cilën dy partitë shqiptare vendosën që të marrin pjesë në ndarjen e kulaçit qeveritar, duke mos këmbëngulur për realizimin e kërkesave të përbashkëta të shqiptarëve.
“I shoh, qenkan rendit si nuset në kanagjegj te Zaevi. Kjo përveç tjerash tregon për servilitetin, inferioritetin që politikanët e gjorë shqiptar e kanë në raport me maqedonasit e sotëm. Jo vetëm ujë Gorska po edhe ajvar e pingjur djegës hani për një pjatë pushtet”, ka shkruar analisti politik Arsim Sinani.
Në postimet tjera shprehet pesimizmi për situatën aktuale, kur eksponentët e partive të mësuara me pushtetin e kanë të vështirë që të heqin dorë nga postet, qoftë kjo edhe në kurriz të kërkesave elementare të shqiptarëve. Analisti Xhelal Neziri kritikon këtë realitet të skenës politike.
“Sa depresive skena politike te shqiptarët. Asnjë nishan për ndonjë kthesë pozitive. Negativizem dhe egocentrizem në të gjitha anët”. Hajr ishalla!”, ka thënë Xhelal Neziri.
Edhe komenti i gazetarit Bardhyl Zaimi është në të njëjtën frymë pesimiste.
“Fatkeqësisht, partitë shqiptare akoma udhëhiqen nga partizanizmi provincial në përzgjedhjen e posteve dhe kuadrove, nga klanet dhe nga dëgjueshmëria. Të mos flasim për pjesëmarrjen me dinjitet në Qeveri si përfaqësues të shqiptarëve, në krijimin e politikave qeveritare. Vetë përzgjedhja e përfaqësimit flet shumë. Hajr ishalla”, ka shkruar Bardhyl Zaimi.
Komentuesit theksojnë se kjo strukturë e figurave të dëshmuara për lojalitet ndaj ish-pushtetit zor se mund të bëjnë ndryshime pozitive, në qeverinë e re.
Emine Ismaili /SHENJA/