Berat BUZHALA
Zoran Zaev duhet t’i mbajë premtimet e dhëna për shqiptarët. Gjëja më e mirë për ta kontrolluar një gjë të tillë, është që një parti politike shqiptare të qëndrojë në opozitë. Pse duhet të gjitha investimet e tyre politike shqiptarët t’ia besojnë një personi – në këtë rast Zaevit? Besa bëri mirë që nuk u bë pjesë e koalicionit qeverisës.
Për Lëvizjen Besa, lëvizjen politike në Maqedoni, nuk është që kam gëzuar ndonjë respekt të jashtëzakonshëm, prej kur ajo është themeluar. Spekulimet e shumta, shpesh më të drejtë, se udhëheqësit e saj mund të janë të inspiruar prej islamit politik, ka qenë arsye e mjaftueshme për t’i ngritur vetullat me dyshim. Sido që të jetë, votuesit shqiptarë në Maqedoni, në masë të madhe e votuan këtë subjekt politik, duke e bërë forcën e dytë më të madhe shqiptare – shumë afër BDI’së me vota. Mirëpo zgjedhjet në Maqedoni, ndonëse të jepnin përgjigje për shumë probleme, hapen dilema tjera. Me një moment, kur forcat nacionaliste maqedonase thyen dyert e Kuvend, rrahën deputetë, me së shumti prej të gjithëve Ziadin Selën, dukej se Maqedonia ishte në fundin e saj. Mjaftonte vetëm edhe ndonjë viktimë – ndonjë i vdekur. Kjo nuk ndodhi. Tash topi kaloi në anën e Zoran Zaevit dhe partnerëve të tij shqiptarë. Komuniteti ndërkombëtar u mobilizua fuqishëm për ta bindur Presidentin Ivanov që t’i jepte fund hezitimit, në mënyrë që gjërat të mos bëheshin edhe më keq.
Halleluja. U bind Ivanov. Talat Xhaferi u ul në karrigen e Kryetarit të Kuvendit. Ca flamujth shqiptarë u vendosën. Ca fjalë patriotike u folën. Gruevski u tërhoq.
Në këtë frymë të entuziazmit, pritet që javën e ardhshme të formohet Qeveria e Maqedonisë, me Zaevin Kryeministër. Dëshira ishte që ai të mbështetej nga i gjithë spektri politik – madje për këtë kishte ngulmim, por që Lëvizja Besa, për të cilët e nisa shkrimin, e prishi festën, duke e dhënë një JO të ftohtë. Shumë zemra u thyen. Ishte një tendencë që të gjithë shqiptarët bashkë, t’i jepnin z. Zaev të gjithë besimin e mundshëm, e në këmbim të tij, ky edhe më tutje nuk ka premtuar që do t’i plotësojë kërkesat e shqiptarëve, që këta të fundit po shpresonin që të ndodhte.
Pse Besa bëri mirë që nuk ia dha votat Qeverisë së Zaev’it?
Fillimisht, duke vendosur që të qëndrojë në opozitë, Besa nuk e ka rrezikuar formimin e koalicionit, e së këndejmi edhe formimin e Qeverisë së Zoran Zaev’it, i cili do t’i këtë prapa vetës 62 deputetë, numër ky minimal për një qeveri, por i mjaftueshëm për të qeverisur.
Pra, Besa duke i thënë JO kësaj qeverie, të njëjtën do ta mbajë nën presion të përhershëm. Zaev, në këtë mënyrë nuk do ta marrë si të mirëqenë besimin e shqiptarëve, duke i futur të gjithë në gjirin e tij. Në këtë mënyrë, një parti shqiptari, në këtë rast Besa, duke mos qenë pjesë e Qeverisë, do ta ketë shumë më të lehtë që t’i numërojë dështimet e kësaj qeverie, nëse do të këtë dështime, për t’i realizuar premtimet ndaj shqiptarëve. Mos të harrojmë, LSDM’ja dhe Zaev kanë marrë mijëra vota të shqiptarëve – për herë të parë në histori. Tash, Zaev e ka mundësinë për ta justifikuar këtë besim të marrë. Mirëpo, nëse Zaev dështon ta bëjë një gjë të tillë, e nëse brenda kabinetit të tij do t’i kishte të gjithë shqiptarët, atëherë elektorati shqiptarë do të ishte në pozitë jashtëzakonisht të pafavorshme. Nuk do ta kishte afër vetës asnjë subjekt politik, që do të avokonte për kërkesat e tyre.
Për këtë arsye, qëndrimi i Besës në opozitë është shumë i shëndetshëm. Kjo lëvizja politike, duke qenë jashtë qeverisë, do t’i fusë nën presion të madh edhe partitë tjera shqiptare që e kanë lidhur fatin e tyre me fatin e Zaevit. Do të ishte e palogjikshme, e dëmshme, që të mos kishte parti shqiptare që qëndrojnë në opozitë. Të mos harrojmë, maqedonasit e kanë tashmë partine e tyre opozitare, VMRO’në. Dikush duhet të kujdesët edhe për shqiptarët e pakënaqur.