19 May
Shkollat fillore dhe të mesme kanë bërë përgatitjet e fundit për realizimin e testimit ekstern që duhet të mbahet javën e parë të muajit qershor. Ndërkohë, vetëm një ditë më parë grupi parlamentar i LSDM-së dërgoi në Kuvend nismën për ndryshime në Ligjin për Arsim Fillor dhe të Mesëm e në të cilën parashihet shfuqizimi i testimit ekstern. Drejtorët e shkollave thonë se janë të obliguar të respektojnë ligjin ekzistues derisa nuk bëhen ndryshime nga Qeveria e re.
Nxënësit dhe arsimtarët më tepër shpresojnë se Qeveria do ta shfuqizoj ligjin për testimin ekstern dhe nuk do të mbahet pasi që kanë përvoja të hidhura nga vitet e kaluara. Përgatitjet i kemi filluar dhe për javën e ardhshme do të jemi gati për testimin ekstern dhe presim çka do të ndodhë me Qeverinë e re – deklaroi Enis Memeti, “Petar Zdravkovski Penko”.
Ndërkohë, nxënësit shprehen të lumtur për nismën dhe shpresojnë se këtë vit do të shpëtojnë nga testimi ekstern.
“Unë i kam pa pyetjet që u publikua në internet, i kam lexuar pak por nuk i kam fotokopju ose me i mësuar pasi që erdh lajmi që u formua Qeveria dhe do të shfuqizohet. Nuk ka qenë i mirë sepse ka prish shumë nota dhe ka pasur shumë gabime nëpër pyetje”, u shpreh një nxënës i shkollës fillore.
“Kemi nis të përgatitemi por kuptuam se ndoshta nuk do të mbahet testimi ekstern edhe jemi të lumtur”, tha një nxënëse e shkollës fillore.
“Shumë lajm i mirë. Gjeneratat e kaluara kemi pësuar por shpresojmë që gjeneratat e ardhshme nuk do të pësojnë më”, tha një nxënëse e shkollës së mesme.
“Pesë vjet është duke u mbajt testimi ekstern, kemi pësuar shumë keq, si ne ashtu edhe profesorët”, u shpreh një tjetër nxënëse e shkollës së mesme.
Të njëjtin gëzim ndajnë edhe prindërit e nxënësve. Ata thonë se testimi ekstern ishte stresues për nxënësit.
“Mendoj se duhet të shfuqizohet, është maltretim për fëmijët. Është lajm i mirë për fëmijët sepse edhe ata duhet të kenë një jetë më komode”, tha një prind.
Ndërkohë nga Qendra Shtetërore e Provimeve tashmë kanë bërë të ditura datat kur pritet të zhvillohet testimit ekstern. 5,6,8 dhe 9 qershor janë ditët e rezervuara për këtë testim për nxënësit nga klasa e 6 fillore deri në vitin e tretë të shkollave të mesme.
Melihate Rustemi