Përfaqësuesit e të gjitha partive politike gjatë ditës janë mbledhur në koordinim “sekret” me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi.
Për këtë takim pothuajse mediat nuk ishin fare të informuara, ndërsa nuk u dhanë kurrfarë detajesh se për çfarë diskutuan partitë parlamentare me Xhaferin dhe nëse kanë arritur marrëveshje për zgjedhjet lokale.
Qëllimisht ose jo një ditë më parë mediat u njoftuan se kryeparlamentari i ri Xhaferi për të hënën ka caktuar koordinimin me partitë parlamentare. Ndërsa u tha se një ndër temat e diskutimit midis koordinatorëve do të ishte data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe nëse arrihej marrëveshje, e njëjta menjëherë do të futej në procedurë. Mandati i kryetarëve të komunave dhe këshillave komunal skadon të hënën, ndërsa Xhaferi një ditë më parë u bëri thirrje partive që urgjentisht të bisedojnë për këtë problematikë me qëllim që komunat të mos bllokohen në tërësi. Mbetet e paqartë se përse Xhaferi ndryshoi planin dhe koordinimi e zhvilloi një ditë më herët se sa vet që e kishte paralajmëruar, dhe përse mediat nuk u njoftuan për këtë takim.