11.05.2017, Shkup
Siç duket gazetarët e Maqedonisë qëmoti jetojnë me hëmendësinë se vallë duhet thënë të vërtetën, apo duhet heshtur atë, sa për ta ruajtur rehatin vetjake?
Dhe mbase kjo hamendje me të cilën jeton gazetari i sotëm në Maqedoni, ka krijuar edhe më shumë kategori gazetarësh, edhe atë jo për nga sferat që mbulojnë, por për nga kërcënimet që marrin.
Sa u përket kërcënimeve, ka gazetarë të kërcënuar fizikisht, ka nga ata ndaj të cilëve janë ngritur padi, ka të rrahur dhe shumë nga ata që në mënyra direkte apo indirekte, kanë qenë viktimë e censurës.
Dhe sot, mbase më shumë se kurdoqoftë më pare, është ngulfatur liria e shprehjes. Gjë të cilën e dëshmoi 27 prilli, kur huliganët maqedonas iu vërsulën Parlamentit republikan, ku u dhunuan deputetë e gazetarë, shkruan Almakos.
Besim Iljazit, Kryeredaktorit të gazetës “Koha”, për Almakos.com thotë se gazetaria po ushtrohet në një treg medial të destabilizuar nga ndikimet politike. Sipas tij, sigurimi i kuvendit ka pasur përgjegjësi mbrojtjen e çdokujt që ndodhej brenda, përfshirë këtu edhe gazetarët.
Edhe pak ditë më vone, me 3 Maji, në Ditën Botërore të Lirisë së Medias, u pa qartë se liria e shprehjes në Maqedoni, me asgjë nuk e meriton emërtimin – liri.
Reporterët pa Kufi (RPF) ka publikuar raportin më të ri të lirisë së medias, ku thuhet se nga vendet e Ballkanit, më keq e radhitur është Maqedonia, edhe atë në vendin e 111-të.
Almakos.com ka kontaktuar edhe me gazetarin Isen Saliun, nga gazeta “ Lajm”. Ai pohon se (pa) sigurinë e gazetarëve në Maqedoni, më së miri e dëshmoi 27 prill. Sipas tij, kjo situatë frike dhe kanosje, ka vite që vazhdon, por shumica shtiren se nuk e shohin atë. Saliu pohon se gazetarët më së shumti i rrezikon dhe diskriminon ai që duhet ata t’i mbrojë – shteti!
Si në vend ashtu edhe nga organizatat ndërkombëtare, duket qartë kapja për fyti e gazetarisë së lirë. Por edhe sa do të vazhdojë kjo gjendje ku gazetari fshin fjalinë që ka shkruar, për të rishkruar një më të ‘butë’, që do t’i sjell më pak rrezik? Iljazi dhe Saliu ndajnë të njëjtin mendim, se ka disa pika ku duhet ndërhyrë dhe duhen bërë ndryshime, që e vërteta të thuhet siç është ajo, pavarësisht se interesi i kujt cenohet.
Sipas Iljazit dhe Saliut, ndër shumë hapat që duhet të ndërmerren, janë edhe ndërprerja e financimit jo transparent të mediave, rishikimi i ligjit për mediat, respektimi i praktikës së Gjykatës evropiane për të Drejtat e Njeriut gjatë proceseve gjyqësore, ku paditen gazetarët. Si dhe e pashmangshmja: drejtësia të përdoret për të nxjerr në shesh të vërtetën dhe jo për ta fshehur atë dhe për të bërë presion mbi gazetarët.
Këto janë disa nga masat që duhet ndërmarrë sa më parë, thonë gazetarët. Se përndryshe, shtojnë ata, nga gazetari, jemi bërë gazi i botës!
Alamkos.com