Porositë e diplomatit amerikan që t’i lejohet shumicës parlamentare të formojë Qeverinë dhe që të gjitha çështjet të diskutohen brenda Kuvendit, sipas ish diplomatit Denko Malevski ishin shumë të qarta dhe kjo sipas tij, duhej të jetë një paralajmërim shumë serioz për VMRO-DPMNE-në që ta ndryshojë politikën e saj. Megjithatë, Malevski thotë se akoma nuk mund të jemi të sigurt nëse ka ardhur fundi i krizës.
“Porosia është e qartë, veçanërisht sepse vjen menjëherë pas ngjarjeve në Kuvend, kjo do të duhej të ishte një paralajmërim shumë serioz për VMRO-DPMNE-në, ta ndryshojë politikën e saj, ta pranojë situatën në Kuvend, ta pranojë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe të bashkëpunojë në transferim të pushtetit qeverisë së re. Tani, a do të arrijnë tek veshët e kryesisë së partisë, këto porosi të cilat i solli përfaqësuesi amerikan, të cilat nuk janë porosi të reja, mbetet të shihet. Shpresojmë të gjithë, se këtë do ta kuptojnë dhe se do të ndihmojnë që të realizohet transfer i qetë i pushtetit”, ka thënë Denko Malevski, ish diplomat.
Malevski shtoi më tej se ngjarjet e 27 prillit kanë shërbyer si mësim për presidentin e shtetit, gjë që siç vlerëson ai, kanë sjellë edhe zbutjen e qëndrimit të tij.
“Pra situata është shumë serioze, besoj që presidenti atë e ka kuptuar dhe shihen ndryshime në qëndrimin e tij, domethënë nëse e kam lexuar mirë, ai kërkon siguri nga koalicioni i ri, bindjen se do të ruhet unitariteti I Maqedonisë, se programa siç thotë ai, nuk do të bazohet në dokumentin e nënshkruar në vend të huaj. Në çfarëdo rasti, ai kërkon garanci të caktuara, të cilat do t’i mundësojnë që ta ndajë mandatin”, ka shtuar më tej ai.
Ish diplomati, Denko Malevski shpreson se mandatari i ardhshëm dhe presidenti do të mundësojnë transferin e qetë të pushtetit.
Ajhnur Bafqari /SHENJA/
Malevski: Hojt Ji paralajmëroi VMRON-në ta… by tvshenjaofficial