Katër personave u është shqiptuar masa e paraburgimit, dy të tjerëve u janë shqiptuar masa kujdesi ndërsa njëri është dërguar në arrest shtëpiak. Ky është vendimi më i ri i Gjykatë Themelore Shkupi 1 për të shtatë të arrestuarit për sulmin e së enjtes ndaj deputetëve dhe gazetarëve në Kuvend. Meqë procedura zhvillohet me Ligjin e ri për procedurë penale, në procedurë të përshpejtuar, paraburimi për këtë vepër mund të zgjasë më së shumti tetë ditë, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Dje Ministria e Punëve të Brendshme ngriti kallëzim penal ndaj 15 personave për pjesëmarrje në turmë e cila pengon aktivitetin e zyrtarëve policor dhe pjesëmarrje në turmë e cila bën vepër penale. Ndërkohë edhe nga Prokuroria themelore publike në Shkup kanë njoftuar se për të gjithë 15 të involvuarit në incidentin në Kuvend ka nisur procedim penal dhe për 14 prej tyre ka kërkuar shqiptimin e masës së paraburgimit.
“Për momentin 7 nga personat janë privuar nga liria. Prokurori publik kompetent, pas vlerësimit se janë përmbushur kushtet ligjore për 14 nga të dyshuarit ka propozuar gjykatësit të procedurës paraprake që tu shqiptojë masën e paraburgimit. Për një person është propozuar caktimi i masës së sigurisë”, kanë thënë nga PTHP.
Nga kjo prokurori thonë se vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Nga 15 të dyshuar, deri më tani vetëm 7 janë kapur dhe nxjerrë para organeve të drejtësisë. Në pranga është edhe një shef i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim por nuk dihet nëse i është shqiptuar paraburgimi. Kodi Penal, nenet 384 dhe 385 në bazë të të cilëve policia ka ngritur kallëzime penale,parashohin 3 deri në 5 vjet burg për pjesëmarrësit në turmë që pengojnë punën e policisë ndërsa për ata që marrin pjesë në turma ku shkaktohen dëme të mëdha dhe rrezikohen edhe jetët e njerëzve, dënimi fillon prej pesë vitesh për pjesëmarrësit dhe dhjetë vjet për organizatorët.
Arben Zeqiri /SHENJA/
ARBEN 1 _05.01.2017 by tvshenjaofficial