Ministri i Brendshëm Agim Nuhiu ofroi dorëheqjen e tij pasi pranoi se policia ka dështuar në ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë së Kuvendit. Por Agim Nuhiu fajin e mori edhe përmi vete si ministër i cili tha se nuk arriti për 4 muaj sa ishte në funksion, ta çrrënjosë ndikimin politik në polici. Në këtë kontekst e akuzoi drejtorin e byrosë për Siguri publike Mitko Çavkov të cilin ai tha se e ka larguar nga shtabi operativ i cili duhej të merret me mbarëvajtjen e protestave të iniciativës për “Maqedoni të përbashkët”.
“Dëshiroj t’ju informoj se ndjej obligim moral për atë që në periudhën katër mujore të qëndrimit tim në krye të ministrisë nuk arrita të largoj ndikimin e politikës nga strukturat udheheqëse të MPB-së dhe prandaj do të kërkoj tërheqjen time . Por, ju siguroj se do të bëj çmos për krijimin e kushteve për transfer të pushtetit dhe do të kërkoj përgjegjësi ligjore dhe penale edhe për strukturat udhëheqëse ne MPB për ngjarjet e djeshme”, ka thënë Agim Nuhiu, ministër i MPB-së.
Sipas ministrit Nuhiu, MPB ka formuar shtab operativ me tre plane, të supozuara: kur protestat do të jenë të qeta, kur do të zgjidhet Kryetari i Parlamentit dhe atëherë kur Parlamenti do të zgjidhte Qeverinë e re. Por ka qenë Drejtori i Byrosë për siguri publike Mitko Çavkov, ai i cili nuk ka vepruar sipas detyrave të tij, dhe sipas Nuhiut nuk do të kalojë pa përgjegjësi.
Ministri i Brendshëm tha se gjithë policët që kanë lejuar hyrjen e turmës në Kuvend do të japin përgjegjësi pas kontrollit të brendshëm në të cilin do të gjendet pjesëtarët e policisë që e kanë kryer detyrën.
“Dëshiroj ta njoftoj opinionin se dje që nga momenti i eskalimit të situatës e deri në orën 20:00 udhëheqësi i Shtabit z.Mitko Çavkov nuk ishte i kapshëm për mua edhe pse e kam kërkuar nëpërmjet telefonit dhe personalisht në Shtabin operativ. Dua të theksoj se, për fat të keq, është e qartë se në strukturat e MPB-së ndikimi politik është në masë të konsiderueshme, gjë që është për tu dënuar. Një pjesë e të punësuarve në MPB në vend që të respektojnë ligjet dhe t’i kryejnë detyrat e tyre, vepronin sipas urdhrave të qendrave partiake, gjë që është për dënim të ashpër dhe patjetër duhet sanksionuar”, shtoi ai.
Ministri Agim Nuhiu tha se mbrëmë ka kontaktuar edhe me Prokurorinë Publike me qëllim të sigurimit të materialeve të nevojshme për zbardhjen e ngjarjeve. Deri tani janë arrestuar tetë persona të dyshuar për dhunën e djeshme në Kuvend ndërsa ende po hetohen edhe të përfshirë të tjerë. Por një gjë mbeti e pasqaruar, nëse Mitko Çavkov do të vazhdojë të jetë drejtor i byrosë për siguri publike dhe nëse jo, kush do ta marrë përsipër këtë detyrë. Është e paqartë edhe nëse Nuhiu do të japë dorëheqje apo do të presë që ta shkarkojë siç tha “kryetari i partisë” Ali Ahmeti
Ministri Nuhiu ofron dorëheqje by tvshenjaofficial