Shumica e re parlamentare zgjodhi kryeparlamentarin e ri në situatën më të pazakontë, të shoqëruar me dhunë dhe kaos ndaj disa deputetëve dhe gazetarëve që ndiqnin nga afër situatën. Situatës I parapriu një retorikë e ashpër mes deputetëve, me fishkëllima, brohoritje dhe këngë patriotike. Oliver Spasovski kërkoi aktivizimin e shumicës së re parlamentare për të zgjedhur kryetarin e ri edhe përskaj kundërshtimit të VMRO-DPMNE-së, akt të cilin paraprakisht e kishte paralajmëruar edhe kreu i LSDM-së Zoran Zaev. Megjithatë partia e Gruevskit me këndimin e himnit në kor, kërkoi që të mos rrezikohet sovraniteti i vendit.
Në sallë munguan dy liderët Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti. Shumica e re kërkoi përgjegjësi nga Nikolla Gruevski dhe mbylljen e tij në burgun e Shutkës.
Pas barrikadimit të karriges së kryetarit dhe foltores nga VMRO-DPMNE-ja, Talat Xhaferi, dha betimin e kryeparlamentarit, ne mes të sallës, i rrethuar nga deputetët e shumicës.
Disa minuta më vonë, për protestuesit u hap rruga dhe u lejuan të futen brenda. Deputetë dhe gazetarë u sulmuan nga turma e acaruar, kurse më keq u mësua se ka pësuar kreu i LR-PDSH-së Ziadin Sela dhe disa deputetë të LSDM-së përfshirë edhe vetë kreun e kësaj partie.
Deputetët dhe gazetarët u evakuuan në një hapësirë të sigurt të Kuvendit përderisa protestuesit nuk lejonin as ndërhyrjen e shërbimeve mjekësore për t’u dhënë ndihmën e parë të lënduarve. Organizatorët e protestës vazhdimisht bënë thirrje për shpërndarjen e tyre në të katër hyrjet e objektit, për të penguar evakuimin e deputetëve dhe gazetarëve jashtë Kuvendit.
Jashtë objektit nuk u vërejte asnjë uniformë blu kurse forcat speciale ishin të pozicionuara vetëm në hyrjet e objektit, megjithatë protestuesit vazhdonin lirisht hyrje-daljet. Ministri i brendshëm Agim Nuhiu, vazhdimisht deklaronte se forcat speciale në çdo moment janë të gatshme për ndërhyrje dhe raportonte për situatë të qetë megjithatë në terren vërehej e kundërta. Numri i protestuesve vazhdimisht shtohej.
Presidenti i shtetit Gjorge Ivanov në një konferencë të jashtëzakonshme bëri thirrje për qetësim të situatës megjithatë vazhdoi që veprimin e shumicës ta quaj jokushtetues. Ivanov ftoi liderët në një takim të përbashkët gjatë të premtes.
Pas më shumë se katër orë ankthi, deputetët dhe gazetarët brenda Kuvendit morën dritën jeshile të evakuimit dhe arritën të nxirren të sigurt dhe pa lëndime të tjera jashtë Kuvendit. Një masë më e vogël protestuesish vendosën tenda dhe me turne, kaluan natën përpara institucionit ligjvënës. Zhvillimet e një dite më parë, erdhën si pasojë e paralajmërimeve të shumicës së re parlamentare se do të ndërmarrë iniciativën e zhbllokimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së kreut të ri të tij dhe pas kërcënimeve të VMRO-DPMNE-së se ka skenarë për të penguar këtë proces.
Fatlume Dervishi