Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, ka reaguar përmes një mesazhi në faqen zyrtare të ambasadës në median sociale ndaj ngjarjeve që ndodhën në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë pas zgjedhjes së kryeparlamentarit, duke theksuar se janë të shqetësuar në lidhje me zhvillimet, raporton Anadolu Agency (AA).
Në mesazhin e saj, Kara është shprehur se kanë ndjekur nga afër zhvillimet në Maqedoni që nga nga zgjedhjet e parakohshme të 11 dhjetorit dhe se e shohin me pikëllim mosformimin e qeverisë dhe faktin që vendi prej një kohe të gjatë gjendet në krizë politike.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për ngjarjet që ndodhën dhe ende vazhdojnë në Kuvendin e Maqedonisë pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Hyrja e protestuesve me dhunë në Kuvend dhe sulmet ndaj disa deputetëve nuk përputhen me vlerat që Maqedonia ka përvetësuar deri më tani. Në këtë drejtim, presim nga autoritetet relevante të Maqedonisë të marrin nën kontroll situatën dhe të mundësohet sigura e secilit, me në krye deputetët dhe gazetarët”, thuhet në mesazhin e ambasadores turke Kara.
Ambasadorja Kara po ashtu ka bërë apel deri tek komuniteti turk në Maqedoni të vazhdojë të tregojë maturinë që ka treguar deri më tani.
“Besojmë që komuniteti turk në Maqedoni, i cili nuk është përfshirë në protestat që kanë vazhduar prej një kohe të gjatë, do të vazhdojë edhe më tej ta ruajë qëndrimin e matur kundrejt këtyre zhvillimeve”, ka theksuar Kara, duke paralajmëruar shtetasit turq në Shkup të qëndrojnë larg rrethinës së Kuvendit derisa situata të merret në kontroll.
Ajo ka uruar që ngjarje të ngjashme të mos përsëriten në Maqedoni dhe që sa më parë të mbyllet zbrazëtira politike.
“Urojmë që në shtetin mik të Maqedonisë të mos përsëriten ngjarje të ngjashme dhe që zbrazëtira politike të mbyllet sa më parë, duke i uruar secilit që është dëmtuar në incidentet e sotme që të mos u përsëriten raste të tilla”, ka thënë ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, në mesazhin lidhur me incidentet në Kuvendin e Maqedonisë.