Shefja e diplomacisë gjermane në Shkup, Kristine Althauzer, ka deklaruar sot se bashkësia ndërkombëtare pret formimin e Qeverisë funksionale e cila do të përkushtohet në zbatimin e reformave urgjente për eurointegrimet. Ajo ka përsëritur edhe njëherë se kriza politike është duke zgjatur së tepërmi dhe duhet të gjendet zgjidhje, në mënyrë që vendi të ec përpara.
“Gjithkush përfshirë edhe komuniteti ndërkombëtar është duke pritur për formimin e qeverisë së re që gjërat të vazhdojnë të ecin përpara, por së pari duhet të zgjidhet kryeparlamentari. Prioritet në procesin e pranimit në Bashkimin Evropian janë çështjet e reformave të cilat intensivisht duhet të zbatohen. Mirëpo, parakusht është që të kemi një qeveri të dobishme dhe funksionale”, ka thënë Kristine Althauzer, Ambasadore e Gjermanisë
Ndërkaq, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Arbër Ademi, deklaroi se kriza politike në Maqedoni është zgjeruar edhe në krizë insticionale, ndërsa theksoi se pret që ajo të zgjidhet pasi që kjo ka ndikuar në projektet dhe reformat të cilat, siç ka theksuar ai, patjetër duhet të realizohen.
“Unë dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë presim që liderët e partive politike të gjejnë një zgjidhje për krizën politike, sepse projektet patjetër duhet të realizohen, reformat patjetër të vazhdojnë dhe kapacitetet administrative patjetër duhet të përmirësohen. Kriza politike patjetër duhet të zgjidhet që institucionet të funksionojnë dhe që procesi euro-integrimit të vazhdojë përpara, pasi që alternativë tjetër nuk kemi”, ka deklaruar Arbër Ademi, Zv/kryeministri për çështje evropiane.
Althauser dhe Ademi këto deklarata i kanë dhënë në konferencën ndërkombëtare “Praktikat e mira për trajnim në vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, të mbajtur në Shkup.
Teuta Buçi /SHENJA/
Althauzer: Presim zgjedhje të qeverisë funksionale by tvshenjaofficial