Pasi që Qeveria kroate në seancën e mëngjesit të sotëm kërkoi shkarkimin e tre ministrave nga Most-i, kryeministri Andrej Plenkoviç, ka njoftuar se do të nisë formimin e shumicës parlamentare pa Most-in. Ai vlerëson se zgjedhje të reja nuk ka gjasa të ndodhin, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri në një konferencë për media në Qeveri theksoi se qëllimi i tij kryesor është stabiliteti politik dhe sa më pak ndasi në vend. Bashkëpunimin e deritashëm me përfaqësuesit e Most-it dhe të pakicave e cilësoi si efikase, duke potencuar tejkalimin me sukses të krizës së votëbesimit të ministrit të Arsimit Pavi Bareshiç ku e kanë mbështetur Qeverinë.
“Nëse unë si Kryeministër i Qeverisë propozoj mocionin e Qeverisë në Parlamentin e Kroacisë, në të cilën ne e refuzojmë iniciativën e deputetëve të opozitës për votimin e mosbesimit dhe nëse e vendosim këtë çështje në votim, atëherë unë pres një qëndrim miqësor të partnerëve të koalicionit dhe ministrave në Qeveri. Kjo, sot, për fat të keq, nuk ndodhi në Qeveri dhe është tejkaluar kufiri i cili nga besimi kthehet në mosbesim”, tha kryeministri kroat.
Ai tha se ministrat të cilët nuk janë në gjendje për të mbështetur kolegët e tyre, ata nuk mund të jenë anëtarë të qeverisë së tij.
Politika ime është politikë e përgjegjësisë dhe jo populizëm apo politikë e përqendruar në zgjedhjet lokale, tha ai.
Ai paralajmëroi sigurimin e stabilitetit të mëtejshëm politik të vendit dhe institucioneve përmes arritjes së marrëveshjes politike që do të mundësojë vazhdimin e funksionimit të Qeverisë.
Sipas tij, ministrat janë shkarkuar në bazë të ligjit dhe kushtetutës.
“HDZ do të arrijë shumicën parlamentare dhe do të sigurojë vazhdimin e funksionimit të kësaj qeverie”, tha ai.
Kryeministri nuk u prononcua se kush do t’i bashkangjitet shumicës së re parlamentare dhe kush do të jenë ministrat e rinj të brendshëm, drejtësisë dhe mjedisit.
Plenkoviç theksoi se ka mbështetje të fuqishme dhe se zgjedhjet e reja kanë shumë pak gjasa të ndodhin.
Për situatën e re u prononcua edhe kryetari i Parlamentit dhe kreu i Most-it Bozho Petrov i cili argumentoi se ministrat e shkarkuar nuk kanë votuar kundër besimit të Qeverisë, por kundër besimit të ministrit Mariç. Ai theksoi se HDZ-ja është ajo e cila përsëri do të rrëzojë qeverinë dhe jo Most-i.