Ambsadorja e Gjermanisë në Maqedoni, Christine Althauser, deklaroi se gjithkush është duke pritur për formimin e qeverisë së re në Maqedoni, pasi që siç theksoi ajo, kriza është duke zgjatur së tepërmi dhe duhet të zgjidhet.
“Gjithkush përfshirë edhe komuniteti ndërkombëtar është duke pritur për formimin e qeverisë së re që gjërat të vazhdojnë të ecin përpara, por së pari duhet të zgjidhet kryeparlamentari. Prioritet në procesin e pranimit në Bashkimin Evropian janë çështjet e reformave të cilat intensivisht duhet të zbatohen. Mirëpo, parakusht është që të kemi një qeveri të dobishme dhe funksionale”, deklaroi Althauser.
Ndërkaq, zv/kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë për çështje evropiane, Arbër Ademi, deklaroi se kriza politike në Maqedoni është zgjeruar edhe në krizë insticionale, ndërsa theksoi se pret që kriza të zgjidhet pasi që kjo ka ndikuar në projektet dhe reformat të cilat patjetër duhet të realizohen.
“Unë dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë presim që liderët e partive politike të gjejnë një zgjidhje për krizën politike, sepse projektet patjetër duhet të realizohen, reformat patjetër të vazhdojnë dhe kapacitetet administrative patjetër duhet të përmirësohen. Kriza politike patjetër duhet të zgjidhet që institucionet të funksionojnë dhe që procesi euro-integrimit të vazhdojë përpara, pasi që alternativë tjetër nuk kemi”, deklaroi Ademi.
Ambasadorja gjermane Christine Althauser dhe zv/kryeministri Ademi u adresuan në konferencën ndërkombëtare “Praktikat e mira për trajnim në vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, të mbajtur në Shkup nën patronazhin e Sekretariatit për Çështje Evropiane të Qeverisë së Maqedonisë.