Një takim eventual i liderëve nuk mund ta kthejë vendin në binar. Sipas politologut Deniz Memedi dhe se një takim i këtillë mund të shfrytëzohet për të mbrojtur interesa të ngushta partiake dhe jo për të mirën e përgjithshme.
“Nga rrjedhoja e ngjarjeve të deritanishme mundë të shohim që kemi fortifikim të pozicioneve nga palët të involvuar në krizë. Nuk ka zbutje të qëndrimeve që të shkohet një hapë para për ta zhbllokuar procesin dhe për tu rikthyer vendi në gjendje normale. Është diskutabile çështja e takimit të sërishëm të liderëve duke pasur parasysh epilogun ende pa u mbajtur takimi. Do të lëshon pe DMPNE nga qëndrimet e saj, apo BDI do të heq dorë nga deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare, e nënshkruar muaj më parë? Kjo thirrje për mbledhje të liderëve nuk do të sjellë zhbllokim të procesit, eventualisht në raste se palë të caktuara janë marrë vesh për pazarllëqe të ngushta individuale të hierarkisë partiake për të mbrojtur interesa të ngushta, që prapë në suaza afatgjate nuk do të sjell zgjidhje të problemit”, tha për gazetën Lajm Memedi.
Deputeti Ziadin Sela nga Aleanca për shqiptarët në intervistën e tij të fundit për Lajm TV potencoi se ashtu siç po kërkohet kohëve të fundit, nuk do të ishte alternativë e duhur.
“Ka pasur takime liderësh edhe më herët. Marrëveshja e Përzhinos nuk u respektua dhe unë nuk shohë ndonjë zgjidhje te ndonjë takim i liderëve. Sipas të gjitha gjasave ky takim do të kishte për qëllim që të shfrytëzohet kriza politike për qëllime personale, të liderëve të caktuar. Kjo nuk do ta zgjidhte krizën. Ne nuk guxojmë të amnistojmë figura politike të zhytura në krim dhe korrupsion, ato do të duhet të përgjigjen prapa organeve të drejtësisë”, tha Sela.
Nga ana tjetër, pas kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, takim liderësh kërkon edhe Nikolla Gruevski. Sipas VMRO-DPMNE-së, takimi duhet të përfundojë me marrëveshje për zgjedhje të reja parlamentare. Deputeti i VMRO-së, Krste Mukovski, dërgoi apel direkt për takim liderësh nga foltorja e Kuvendit.
“Përveç uljes në tryezë të përbashkët dhe hapje të gjitha çështjeve të pazgjidhura që prekin rendin kushtetues të vendit, nuk mund të kalojnë përveç se me dialog të përbashkët dhe gjetje të kompromisit”, thotë Kërste Mukovski nga VMRO-DPMNE.
Ideja e VMRO-DPMNE-së nuk është e pranueshme për LSDM-në. Nga LSDM thonë se gjëja e vetme që mund të ndodhë gjatë periudhës në vijim është që Nikolla Gruevski ta dorëzojë pushtetin.
“Për çka do të bisedonim dhe me kë në një takim të tillë? Ne kemi pasur takime të tilla dhe aty u arrit marrëveshja e Përzhinës, qëllimi përfundimtar ishte mbajtja e zgjedhjeve parlamentare”, ka deklaruar Petre Shilegov nga LSDM.
Nga BDI e përshëndesin qëndrimin e VMRO-DPMNE-së për takim liderësh- thonë kjo ishte ide e Ahmetit që nga fillimi.
“Kriza është politike dhe të gjitha mjetet politike për zgjidhjen e saj janë të mirëseardhura”, theksojnë nga BDI.