26 April
Gjykata Kushtetuese do të vendosë nëse ministri i financave Kiril Minovski mund ose jo të nënshkruaj pagesën e subvencioneve në këtë periudhë. Nga Gjykata kushtetuese për Alsat M konfirmuan se tashmë kanë formuar lëndë. Nga ky Institucion nuk tregojnë se kur do të vendoset në rend të ditës kjo pikë. Edhe pse për seancën e radhës të caktuar për 10 maj nuk është planifikuar kjo çështje, kjo nuk do të thotë se ajo nuk mund të vihet në mënyrë plotësuese. Kjo do të thotë se subvencionet mund të paguhen deri nga mesi i muajit maj. Bujqit thonë se po humbin durimin. Kërkojnë deri të premten të takohen me ministrin e bujqësisë dhe atë të financave. Nëse nuk realizohet takimi, për vikend paralajmërojnë takim të koordinatorëve të të gjitha shoqatave bujqësore për të vendosur për hapat e mëtutjeshëm.
Nuk ka përgjigje nga asnjëra prej ministrive. Bujqit duhet të marrin rreth 92 milionë euro për subvencione. Pjesa më e madhe e parave janë për vitin e kaluar, gjegjësisht 52 milionë euro, për vitin 2015 shteti u ka borxh 1.2 milionë euro, ndërsa mjetet tjera janë për vitin 2014. Problemi për mospagesën e subvencioneve është për shkak të një neni në Kodin penal i cili ndalon pagesën e subvencioneve. Kjo pengesë mund të tejkalohet vetëm nëse Gjykata kushtetuese e anulon atë dispozitë.
Verica Pavllovska