26 April
Organizata “Reporterët pa kufij” e rendisin Maqedoninë në pozitën më të rëndë dhe të fundit në rajon, kurse në botë renditet në vendin e 111-të nga 180 vende të botës.
Sipas këtij raporti vetëm Shqipëria dhe Kosova kanë bërë përparime të lehta në rajon, në një kohë rënieje të lirisë së medias në botë. Kjo organizatë e radhiti Shqipërinë në vendin e 76-të, ndryshe nga një vit më parë kur ishte në vendin e 82-të kurse Kosova radhitet e 82-ta, ndryshe nga një vit më parë kur ishte radhitur në vendin e 90-të.
Kjo organizatë vlerëson se në botë është shënuar një “rënie e thellë dhe shqetësuese” e lirisë së medias.
Sipas saj, me rënien e shkallës së demokracisë, retorikën helmuese, ndikimet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta politike dhe shtimin e udhëheqësve autoritarë në botë, po rritet numri i vendeve ku liria e medias është më e kërcënuar se kurrë.
Nga vendet e rajonit, më së miri qëndron Bosnja dhe Hercegovina që është radhitur në vendin e 65-të, e pasuar nga Serbia në vendin e 66-të, Kroacia në vendin e 74-të dhe Mali i Zi në vendin e 106-të.