24 April
Nëse deri më 4 maj nuk ka zgjidhje konkrete për deponinë në Strugë, nga iniciativa qytetare “Mjaft Është”, paralajmërojnë bllokimin e rrugës që çon drejt deponisë. Nga ana tjetër, Komisioni të cilin e formoi Këshilli i komunës së Strugës, duhet të negociojë me autoritetet e komunës së Ohrit për të marrë leje që mbeturinat përkohësisht të dërgohen në deponinë Bukovo që gjendet mes Ohrit dhe Resnjës. Komisioni në afat prej dy javësh duhet ta informojë Këshillin nëse kanë marrë mendim pozitiv nga Ohri.
Ajo për çka angazhohemi është që të ketë zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme për deponinë e Strugës – thotë Bilana Stançiq, banore e Strugës.
Alsat M kërkoi mendim nga komuna e Ohrit, nëse do lejonin që Struga përkohësisht mbeturinat t’i dërgojë në deponinë Bukovo, por deri më tani nuk morëm përgjigje. Ekologët bëjnë thirrje për zgjidhje të shpejtë të problemit.
Unë do të propozoja ndërtimin e një qendër ku do të selektohet dhe riciklohen mbeturinat. Ky është projekt i parë dhe i qëndrueshëm ligjërisht dhe i cili do të ulte nivelin e ndotjes për qytetarët e Strugës. Vendi ku gjendet deponia është shumë i papërshtatshëm dhe është “bombë” e madhe pasi dëmton ujërat nëntokësore, sipërfaqen e tokës dhe ajrin – thotë Gjoko Zoroski, Shoqata ekologjike maqedonase.
Ndryshe, në vit në deponinë e qytetit në Strugë hidhen 12 mijë tonë mbeturina. Një nga propozim masat është edhe rritja e numrit të rojeve në deponi në 6 që do punonin 24 orë në tre ndërrime, pastaj mbikëqyrja me kamera, dorëzimin e peticionit në ministritë kompetente dhe Qeveri për t’u përshpejtuar procesi i formimit të deponive rajonale. Autoritetet lokale të Strugës vlerësojnë se zgjidhja më së miri do të ishte ngritja e një deponi të re në fshatin Mali Vllaj e cila do ndërtohej me ndonjë partner nga vendet e huaja.
Miki Trajkovski