Kriza momentale në Maqedoni është ajo që e vështirëson jetesën në këtë shtet dhe njerëzit të lodhur nga gjithë këto ngjarje që po ndodhin vazhdimisht detyrohen të ikin jashtë vendit, kështu deklarojnë qytetarët e intervistuar nga Televizioni SHENJA. Ata thonë që kriza politike ka paralizuar çdo institucion dhe madje ajo ka shkaktuar edhe krizën ekonomike, ndërsa politikanët në vend që të përmirësojnë këtë gjendje, e çojnë vendin akoma më prapa.
“Kriza për momentin, madje jo për momentin por mund të them që 20 vite prapa jemi kthyer. Kjo është katastrofë, krizë shumë e madhe, po e shihni vet, popullata pa punë, papunësi e madhe. Politika po e bën këtë, politikanët se ne ua kemi dhënë votën që me na udhëheq para, por ata po na kthejnë pas”, thotë njëri nga qytetarët.
“Për krizën, këtu as nuk jetohet. Gjithë kemi dëshirë të ikim prej këtu. Këtu është vend i keq, kriza është e madhe. Të rrezikuar janë këta që janë më punëtor, se ata që vjedhin jo, se ata i kanë të gjitha, kanë ndërtuar ndërtesa të mëdha”, thotë një qytetar tjetër.
Qytetarët mendojnë se përmirësim të gjendjes momentale mund të ketë vetëm atëherë kur vendi të shpëtoj nga kriminalizimi. Ndërsa ato që po pësojnë më së shumti nga kjo situatë janë qytetarët.
“Ato që e kanë bërë këtë krizë, nuk mund ta përmirësoj askush. Kështu që duhet të vijnë më të ri, më të aftë dhe jo të kriminalizuar, sepse gjithë poenta është tek kriminalizimi”, thotë një qytetar.
“Të gjithë po e vuajmë këtë krizë, por më së shumti të varfrit, sepse ato që kanë para nuk e kanë problem”, thotë një qytetar tjetër.
Ndërsa janë të paktë ata të cilët shpresojnë në zgjidhjen e krizës.
“Normalisht që krizë do të ketë pas ngjarjeve që kanë ndodhur prej më shumë se gjysmëviti dhe presim që për një kohë më të afërt të përmirësohet situata. Ne kemi jetuar së bashku prej që unë e mbaj mend, unë jam 70 vjeçar dhe të gjithë fqinjët, por edhe ata me të cilët punoj, janë të etniteteve të tjera,jetojmë bashkë, jemi të afërt, bashkëpunojmë”, thotë njëri nga qytetarët e anketuar.
Megjithatë qytetarët thonë se kjo gjendje duhet të rregullohet dhe pastaj me mendje të shëndoshë të mendojmë për zhvillimin e ekonomisë dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Emine Ismaili /SHENJA/
Kurrizi i qytetarët e ndjen më së shumti krizën by tvshenjaofficial