14 April
Ministria e Brendshme ka shtuar masat e sigurisë në të gjitha nivelet shtetërore në prag të festave të Pashkëve. Sipas qëndrimin zyrtarë të këtij dikasteri, veprimet e tilla burojnë nga informacionet operative mbi ndonjë sulm të mundshëm dhe kanë për qëllim ruajtjen e rendit publik. Në fokus janë objektet fetare. Duke mos kumtuar më tepër, nga MPB thonë se po merren parasysh kërcënimet nga sulmet e mundshme terroriste të paralajmëruara nga Shteti Islamik. Ndërkohë masat e larta të sigurisë po vazhdojnë edhe nëpër burgjet ku momentalisht mbahen të akuzuarit për rastin “Lagja e Trimave”. Ditë më parë, televizioni Alsat M informoi nga burime anonime se nuk përjashtohen sulme të mundshme për lirimin e tyre dhe se për realizimin e një skenari të tillë në lojë janë 10 milion euro. Nga ana tjetër ekspertët vlerësojnë se skenarët për lirim të dhunshëm të të akuzuarve për rastin e Kumanovës janë të mundshëm andaj sipas ish ministrit të Brendshëm Pavle Trajanov vendet fqinje në bashkëpunim me vendet anëtare të BE-së duhet të ndërmarrin masa preventive.
Mendoj se çdo informacion duhet të merret shumë seriozisht dhe shërbimet inteligjente të veprojnë në mënyrë preventive. Derisa ka informacione serioze se përgatitet lirim i dhunshëm i të akuzuarve për ngjarjet e Kumanovës fillimisht duhet të informohen shërbimet e vendeve fqinje si dhe vendet anëtare të BE-së t’i verifikojnë informatat e tilla dhe mbi gjitha them përsëri, të parandalohet – deklaroi Pavle Trajanov, Ish ministër i Brendshëm.
Ndërkohë avokati Naser Raufi i quan spekulime të radhës informacionet për gatishmërinë e grupeve të ndryshme për të liruar të akuzuarit për rastin e Kumanovës. Sipas Raufit bëhet fjalë për tendenca për të shpërqendruar vëmendjen e opinionit.
Unë mendoj se edhe në këtë rast kemi të bëjmë me spekulime. Sipas meje është tendencë për t’u defokusuar situata aktuale politike, pra defokusim i njëjtë siç ka qenë skenari i shërbimit sekret në Kumanovë. Sigurisht që kjo i pengon lëndës dhe mendoj që ky të jetë arsyetim shtesë që ndaj të akuzuarve të vazhdohet dhuna e cila për një kohë është ndërprerë – tha Naser Raufi, Avokat.
Informacione të llojit se grupi i Kumanovës është nën shënjestrën e një grupi i cili ka për qëllim lirimin e tyre kishte edhe më herët. Ndonëse shërbimet vendase publikisht nuk kishin alarmuar sulme të mundshme terroriste apo aksione guerile për lirimin e të akuzuarve për ngjarjet e Kumanovës, policia muajve të fundit ka operuar në disa rajone. Në rajonin e Kumanovës, Likovës dhe Tetovës disa herë janë vërejtur forca policore dhe frekuentim i helikopterëve ushtarak. Ministria e Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes, aksionet e tilla i kanë arsyetuar si kontrolle të zakonshme.
Adrian Kerimi