14 April
Amnistia e politikanëve të dyshuar për krime dhe keqpërdorime financiare, sipas disa analistëve, do ta thelloi edhe më tej krizën politike dhe nuk është garanci për stabilitet të qëndrueshëm në Maqedoni. Ish deputeti Zudi Xhelili në emisionin “Rruga drejt” tha se Maqedonia mund të shpresojë për një të ardhme më të mirë në aspektin politikë ose të sigurisë, vetëm nëse politikanët e përfshirë në krime, mbajnë përgjegjësi për veprat e tyre.
“Unë mendoj se askush nuk ka të drejtë të amnistohet dhe asnjë nga këto protagonistë që kanë marrë fatin e popullit në Maqedoni, ta nxjerrin nga ky terr dhe kjo krizë, nuk e ka të drejtën që të amnistojë dikë. Përkundrazi, pa përgjegjësinë e atyre që sollën vendin në këtë situatë, nuk do të ketë asnjëherë perspektivë të ndritshme –deklaroi Zudi Xhelili ish deputet.
Edhe asistentja Besa Kadriu mendon se amnistia e politikanëve të dyshuar për krim financiar, nuk është zgjidhja e vërtetë e krizës disa-vjeçare politike.
“Është një përvojë e cila duhet të ndryshohet. Them të ndryshohet për faktin se është bërë më traditë në Maqedoni, gjithmonë janë amnistuar njerëz të përfshirë në skenën politike duke dalë me një prapavijë ose përvoja jo të mira dhe të hidhura që nuk i kanë kontribuar vlerave të mirëfillta të funksionimit edhe të mirëfillta të një sistemi demokratik – tha Besa Kadriu, Asistent Profesoreshë.
Sipas profesorit Bashkim Selmani, mos-dalja para gjyqit e atyre që kanë bërë krime financiare, në fakt krijon një boshllëk të cilin, mund të përdor një palë e tretë për de stabilizimin e shtetit.
“Për sa i përket krimit dhe drejtësisë së vërtetë, është një situatë më ndryshe, për arsye të vetë pozitës së Ballkani dhe me përforcimin apo indikacioneve të Rusisë që në këtë rast të shfrytëzojë situatën e këtillë kriminale, apo epoka e krimit të organizuar, atëherë besojë se duhet të jemi shumë më të matur. Ne në drejtësi themi nuk ka krim pa gjurmë, gjurmët do të dalin në sipërfaqe – tha profesor Bashkim Selmani.
Sipas analistëve të ftuar te “Rruga drejt”, oferta e VMRO – DPMNE-së që të bëjë qeveri një etnike me LSDM-në, është skenar i dëmshëm dhe i rrezikshëm. Ata mendojnë se shqiptarët tani duhet të rruajnë gjakftohtësinë, me qëllim që mos të bëhen pjesë e skenarëve të VMRO – DPMNE-së.
Blerim Ismaili