Gjendja e lirisë së mediave gjatë vitit të kaluar është përkeqësuar në të gjithë indikatorët e hulumtimit, siç është legjislativa mediatike dhe zbatimi i saj, gjendja e përgjithshme profesionale, ekonomike dhe sociale e gazetarëve si dhe siguria e tyre. Kështu thuhet në raportin e përgatitur nga SHGM, lidhur me nivelin e lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve në vitin 2016.
Sipas kryetarit të Shoqatës së Gazetarëve, Naser Selmani, aspekti i vetëm pozitiv në këtë raport është përmirësimi i praktikës gjyqësore për paditë për shpifje dhe ofendim kundër gazetarëve. Sipas Selmanit, pozitiv është fakti që numri i padive po ulet, ku për dallim prej vitit 2012 kur kishte mbi 320 padi për shpifje ndaj gazetarëve, vitin e kaluar ky numër është ulur nën 50.
“Nga të dhënat e marra mund të konstatohet lehtë se Qeveria i përdorë të gjitha instrumentet e pushtetit të kufizojë lirinë e shprehjes dhe të kontrollojë mediat. Ajo përdor politikën e “shkopit dhe karrotës” ndaj mediave. Mediat e dëgjueshme i shpërblen me para publike, ndërsa gazetarët që e kritikojnë vazhdimisht i sulmon dhe janë të ekspozuar presioneve të ndryshme”, tha kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.
Në raport theksohet se institucionet publike me arsyetime të ndryshme vazhdojnë të shpenzojnë shuma serioze parash në media. Sipas të dhënave, ministritë dhe komunat në Maqedoni gjatë vitit të kaluar kanëshpenzuar rreth një milion e gjysmë euro në mediat e shtypura, online dhe në mediat rajonale dhe lokale. Rreth 700 mijë euro, janë shpenzuar nga Ministria për shoqëri informative dhe administratë, për subvencione. Ndërkaq mjete për parapagim në gazeta më së shumti ka shpenzuar MPB, edhe atë 50 mijë euro.
“Pjesa e mbetur e mjeteve të ministrive dhe komunave janë shpenzuar për reklama dhe për parapagim të gazetave. Më së shumti mjete nga komunat për këtë qëllim kanë ndarë komunat Manastir dhe Gostivar, me rreth 60 respektivisht 50 mijë euro në vit. Kështu komunat e Gjevgjelisë, Dellçevës dhe Kumanovës kanë shpenzuar dhjetëra mijëra euro në televizionet rajonale për transmetimin e seancave të këshillit, për prezantim të aktiviteteve të komunës ose për publikimin e kumtesave”, theksoi Selmani.
Në raport thuhet se komuna e Shtipit ka paguar rreth 20 mijë euro në tre televizione rajonale pa konkretizuar për çfarë qëllimi.
SHGM konstatoi gjithashtu se në mënyrë dramatike po rritet dhuna ndaj gazetarëve, ndërsa institucionet po ngecin për zbardhjen dhe ndëshkimin e tyre.
Selmani tha se presin që Qeveria e re të tregojë vullnet të mirëfillte politik për zbatimin e reformave serioze në media, në pajtueshmëri me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe bashkësisë së gazetarëve.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
SHGM: Gjendja e medieve po përkeqësohet në çdo… by tvshenjaofficial