11 April
Edhe në ditën e 11-të nga vazhdimi i seancës konstituive, deputetët u sollën në labirintin e njëjtë të debatit. LSDM-ja ftoi në kapërcimin e pikës për formimin e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime duke synuar që debati të kalojë në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit. VMRO-DPMNE-ja pretendon se kjo nuk është praktikë e institucionit ligjvënës dhe u shprehën të bindur se LSDM-ja do të vazhdojë të mbetet në opozitë. Aleanca për shqiptarët ndërkohë deklaroi se deputetët e VMRO-DPMNE-së dhunojnë vullnetin e shumicës së re.
Z. Veljanovski, në vend që të numëroni statistika dhe minutazh se sa deputetët kanë folur për replika dhe fjalime procedural, do të ishte mirë të çliroheni nga prapavija partiake që duket qartë se e keni të imponuar. Të filloni detajisht ta lexoni rregulloren dhe të mos pritni deklaratat e fundjavave të liderit tuaj që t’ju tregojnë nëse diçka është ose jo në pajtim me rregulloren – deklaroi Frosina Remenski, LSDM.
Tashmë dy ditë vetëm brenda kësaj jave, kolegët e LSDM-së në mënyrë brutale me vërejtje procedurale, gjithsecili sikur në treg, e interpreton rregulloren. Nuk e kam të qartë pse ka kaq shumë nervozë. Ju shkon dhe disi jeni përshtatur që të rrini në anën e majtë dhe ashtu do të jeni edhe katër vitet e ardhshme. Me mohimin e të drejtës së deputetëve që të marrin fjalën, bëni atentat ndaj demokracisë së Kuvendit – deklaroi Sasho Vasilievski, VMRO-DPMNE.
Në këtë parlament po ndodh një dhunim klasik i vullnetit të shumicës nga ana e pakicës. Kanë ardhur përmes misionarëve edhe oferta të majme vetëm e vetëm që të jetë pjesë e një shumice të imagjinuar nga ju por dua ta them troç, as Ziadin Sela por as kushdo nga liderët e partive politike shqiptare nuk ka mandat për marrëveshje jo-parimore, askush nuk ka mandat të bëjë marrëveshje që rrezikon, ndër të tjera, Prokurorinë Speciale – deklaroi Surija Rushiti, Aleanca për shqiptarët.
Gjatë javës së kaluar, LSDM-ja deklaroi që si shumicë parlamentare planifikojnë hapa konkret për zhbllokimin e situatës por akoma nuk është bërë e ditur se cili është plani dhe kur do të zbatohet. Përveç 67 nënshkrimeve, shumica e re parlamentare llogaritet si legjitime edhe nga PDSH-ja dhe do të ketë edhe dy votat e saj për çështjet e integrimit dhe avancimit të pozitës së shqiptarëve.
Fatlume Dervishi