Bashkimi Evropian vazhdon të shprehë shqetësimin e tij në lidhje me krizën politike në Maqedoni duke i bërë thirrje liderëve politik që të kthejnë vendin në vijat e proceseve demokratike. Së fundmi, zyrtarja për politikë fqinjësore dhe negociata për zgjerim e Komisionit Evropian, Gjenoveva Ruiz Kallavera, në një intervistë për European Ëestern Balkans, përcjell SHENJA, ka thënë se BE ka qenë shumë e qartë në lidhje me zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe është përsëritur disa herë se duhet të respektohen rezultatet e zgjedhjeve.
“Jam thellë e shqetësuar në lidhje me zhvillimet e fundit në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Komisari Han dhe Përfaqësuesja e Lartë dhe Zëvendëspresidentja Mogerini, po ashtu edhe anëtarët e Parlamentit Evropian Eduard Kukan, Knut Flekenshtajnë dhe Ivo Vajgëll, kanë qenë shumë të qartë – të gjithë liderët e vendit, përfshirë edhe presidentin, duhet të respektojnë rezultatet e zgjedhjeve të fundit”, ka deklaruar Gjenoveva Ruiz Kallavera, KE.
Kallavera po ashtu ka bërë thirrje për përmbajtje nga retorika dhe ndezja e tensioneve ndër etnike.
“Procesi demokratik duhet të vazhdoj rrjedhën e tij. Përveç kësaj, të gjithë aktorët duhet të përmbahen nga çdo lloje e ndezjes së tensioneve ndër etnike, retorikës negative dhe nxitjes së dhunës. Ne presim që liderët politik, përfshirë Qeverinë e re, të implementojnë të gjitha pjesët e Marrëveshjes së Përzhinos dhe reformat urgjente prioritare në mënyrë që vendi të kthehet në rrugën drejt BE-së. Kjo është ajo që e duan dhe e meritojnë të gjithë qytetarët. Ne presim të punojmë së bashku me Qeverinë e re që të ndodh ajo”, ka shtuar ajo.