Raporti më i ri i Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor thotë se gati dy e treta e të rinjve në Maqedoni janë analfabet funksional.
Nga 70 vende të botës të paraqitura në këtë raport, Maqedonia gjendet në pozitën e 68 para Kosovës dhe Republikës Domenikane.
Rezultate të ngjashme shfaqi edhe testimi ndërkombëtar PISA, ku Maqedonia ishte në vendin e 67-të, duke lënë pas vetëm Kosovën, Algjerinë dhe Republikës Domenikane. Krahasuar këto rezultate të testimit që u mbajt dy vite më parë, raporti i Bankës Botërore tregon se Maqedonia ka shënuar rënie.
Këto të dhëna, tregojnë se reformat në sistemin arsimor, në mesin e të cilave edhe matura shtetërore, nuk japin rezultatin e dëshiruar.
Analfabetizmi funksional nënkupton se një person është në gjendje të lexojë, shkruajë dhe të flasë në aftësi themelore, por nuk ka njohuri themelore për punën në kompjuter, si dhe njohjen e ndonjë gjuhe të huaj. Sipas raportit, 40% e popullsisë së Maqedonisë nuk është e përfshirë në tregun e punës, ekziston përqindje e madhe e papunësisë tek të rinjtë dhe trend i papunësisë afatgjate në mesin e popullatës. /SHENJA/