08 April
Ekspertët dënojnë ashpër veprimet me anshmëri politike dhe përçarëse të peshkopëve. Gazetari, Zoran Bojarovski vlerëson se ata po shkelin rëndë mbi Kushtetutën po aq sa mbi shenjtërinë religjioze, respektivisht detyrën për të predikuar dashuri dhe tolerancë.
Kur priftërinjtë t’i veshin rrobat e shenjta, ata njëkohësisht e veshin edhe përgjegjësinë. Kur ta veshin përgjegjësinë ata e kanë patjetër të sillen ashtu edhe para publikut. Kur je në veshje të shenjtë nuk mund të përfaqësosh qëndrime radikale politike, të cilat edhe më tepër i ndërlikojnë situatat politike te ne dhe edhe më shumë e nxehin situatën. Kjo është thjeshtë e palejueshme – tha gazetari, Zoran Bojarovski.
Drejtori i Insitutit Genera, Lupço Ristovski thotë se peshkopët jo vetëm që shkelin parimin e sekularizmit, i cili i ndalon institucionet religjioze të përzihen në udhëheqjen me shtetin dhe i fton ata t’iu shmangen qëndrimeve politike; por thirrjet e tyre janë aq të rrezikshme sa mund të shkaktojnë urrejtje dhe dhunë mes qytetarëve të besimeve të ndryshme.
Historia nuk njeh dhunë në raste kur kemi mendime të ndryshme ose të kundërta politike, por njeh dhunë kur kemi tendenca që mendimet tona t’ia imponojmë grupit tjetër me forcë. Në situatën konkrete nxehja e atmosferës nga persona të caktuar religjioz të pozicionuar lartë në bashkësi të caktuar religjioze, në këtë rast të Kishës Ortodokse Maqedonase është e papërshtatshme të përzihen me qëndrime politike, me veprimet e tyre që preferojnë të kryejnë ndikim në grup të caktuar etnik, në këtë rast në popullin maqedonas në situatë kur kemi ashpërsim serioz të raporteve mes bashkësive etnike në Maqedoni – deklaroi Lupço Ristovski, drejtor i Institutit “Integra”.
Me përkeqësimin e situatës politike dhe ndëretnike në vend, janë shpeshtuar edhe deklaratat me prapavijë politike dhe retorikë nacionaliste e përçarëse të klerikëve fetar.
Anesa Aliti