Agjenci të ndryshme lajmesh raportojnë për daljen e mijëra njerëzve në rrugë në dy netët e kaluara në rrugët e Beogradit dhe të ca qyteteve të tjera serbe në protestë ndaj zgjedhjes së Aleksandër Vuçiqit si president i vendit.
“Ju vodhët zgjedhjet,” do të thërriste turma në kryeqytetin e Serbisë, në protestën e organizuar me moton “Kundër diktaturës”.
Veç Beogradit, është protestuar dhe në Novi Sad e në Nish për të dytën natë me radhë. Nuk është ende e qartë nëse pas protestave qëndron dikush, ndërkohë që pjesëmarrësit kanë thënë se janë organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale.
Vuçiq, që fitoi rreth 55 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës, është shprehur i pashqetësuar për protestat kundër tij.
“Serbia është një vend demokratik, dhe protestat mbi rezultatin e zgjedhjeve janë të pranueshme për sa kohë janë paqësore,” tha ai një ditë më parë.