Pasojat nga mbyllja e dy reparteve të Spitalit “8 shtatori”, atë të Pulmologjisë dhe endokrinologjisë dhe Kirurgjinë e përgjithshme dhe atë urgjente i përjetojnë pacientët të cilët fajin për këtë e hedhin tek politika. Sipas tyre gjendja në sektorin e shëndetësisë dita ditës po përkeqësohet dhe nuk shohin asnjë iniciativë për përmirësim, përkundrazi një numër i madh i personelit mjekësorë po braktisin vendin dhe po ia mësyjnë Bashkimit Evropian.
“Në këtë gjendje kurrë nuk ka qenë Spitali, unë nuk po e kuptojë , shumë motra medicinale kemi pa punë ndërkaq nuk lejojnë të avancohen apo të punësohen, është një gjë s’po e kuptoj. Ky është ndër spitalet më me respekt në vend, dhe të vuajnë pacientët për shkak të mungesës së motrave medicinale , për mua është absurde”.
“Nuk jam e kënaqur aspak me shërbimet, isha me udhëzim me prioritet në ortopedi dhe nuk më pranuan! Ka mungesë të personelit, dhe këtë gjë na e thanë vetë mjekët. Nuk mund të funksionojnë njerëzit pa personel mjekësor”.
“Fajtor është Todorovi”.
“Të përmirësohet çështja me personelin, ata vetë tregojnë se nuk kanë motra medicinale, nuk ka mjekë, kjo gjendje reflekton menjëherë te ne pacientët”.
“Kjo është katastrofë e pa parë. 10 vitet e fundit që kur është VMRo dhe BDi kanë bërë kaos”.
Pas mbylljes së reparteve të lartpërmendura Spitali “8 shtatori” do funksionojë me minus 75 shtretër, dhe katër salla operacioni më pak. Raportohet se ky spital ka nevojë për 180 motra medicinale të cilat do t’i rikthenin shërbimet tanimë të humbura të tij. Kjo dukuri është prezentë edhe në vendet e tjera të Ballkanit perëndimorë. Sipas raportit të Organizatës ndërkombëtare “ Helth Gruper” vendi po humb në mënyrë të vazhdueshme kuadrin e mjekëve të diplomuar të cilët të pakënaqur nga pagat çdo vit e më shumë po braktisin vendin dhe shkojnë për të punuar në vendet Evropiane.
Vjollca Aliti