Ka disa ditë që zjarri ka kapluar Karadakun. Zjarri ka filluar ditën e premte dhe po vazhdon ende pjesërisht. Situata për momentin është qetësuar, ashtu siç njoftojnë edhe nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim se ekipet janë në terren dhe po i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për mos lejimin e përhapjes së zjarrit. Zëvendësdrejtori, Ekrem Zendeli, bëri të ditur se për momentin ata ende nuk kanë ndonjë informacion se për çfarë sipërfaqe bëhet fjalë, që e ka kapluar zjarri.
“Mesa kemi ne informacion, janë angazhuar të gjitha strukturat, ne jemi duke vepruar me rreth 50 ekipe, 3 mashina të quajtura ‘pick up’, janë mobilizuar mëse 150 forca, kurse sot kemi nxjerrë në teren edhe aeroplanët. Bëhet fjalë për një sipërfaqe shumë të madhe, por pasi ende ekipet janë në teren nuk mund të japim një informacion të saktë dhe besojmë që brenda ditës zjarri do të vihet nën kontroll”, ka thënë Ekrem Zendeli, zv drejtor “Drejtoria Për Mbrojtje dhe Shpëtim”.
Zjarri ka kapluar edhe terrenet malore në Komunën e Likovës, më saktësisht fshati Bellanoc, Hotël dhe Strimë. Vaid Saiti, drejtor i NP “Pyjet e Maqedonisë” për Kumanovë njoftoi që brenda ditës presin që zjarri të shuhet plotësisht, ndërsa situatë më shqetësuese është në fshatin Strimë, sepse zjarri ka arritur shumë afër shtëpive.
“Prej ditës së premte në vendin e quajtur ‘Maja e zezë’, ka ardhur zjarri drejt për së drejti prej nga kufiri i Serbisë dhe nga kufiri i Kosovës, rreth 70-80 puntorë janë në terren, me të gjitha mjetet mbrojtëse jemi duke u munduar që mos të lejojmë përhapjen e saj . Nga puna në teren kemi parë që nuk ka dëme shumë të mëdha. Ndërsa, nga dje zjarr është shkaktuar edhe në fshatin Hotël dhe Strimë, por situatën e kemi nën kontroll”, deklaroi Vaid Saiti, drejtor i NP “Pyjet e Maqedonisë”.
Ndërsa komandanti i Brigadës Zjarrfikëse Shkup, Zvonko Tomeski tha se sipërfaqja e identifikuar deri më tani që është kapluar nga zjarri është diku 500 hektarë.
“Bëhet fjalë për një sipërfaqe të madhe, diku rreth 500 hektarë, për momentin është duke u intervenuar me rreth 35 zjarrfikës , gjithashtu në teren janë edhe 2 avion”, ka thënë Zvonko Tomeski, Brigada Zjarrfikëse Shkup
Sot është dita e tretë që vendet malore të Karadakut janë kapluar nga zjarri, nga shkaqe ende të panjohura, ndërsa ekipet kompetente po punojnë në teren, në mënyrë që zjarr mos të përhapet.