Ka vazhduar sot debate në Kuvendin e Maqedonisë, ku në rend dite është pika e përzgjedhjes së kryetarit të Komisionit për zgjedhje dhe emërim si dhe zgjedhja e kryetari të Kuvendit. Por, edhe sot debati po zhvillohet për krejtësisht pika tjera.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së, vazhdimisht po shërbehen me deklaratat e deputetëve të BDI-së, mbi gjitha, me deputetin Ejup Alimi, i cili lexoi Deklaratën e Partive Shqiptare në foltoren e Kuvendit.
Ata thonë se veprimet e tilla janë një dëshmi se ekziston Platformë dhe bazuar në këtë ata kërkojnë që sa më shpejtë të organizohen zgjedhje të reja parlamentare.
“Gjysma e koalicionit thotë nuk ka platformë, gjysma thotë ka. Vetëm është dallimi se këtë në fillim e quajtën platformë pastaj filluan ta quajnë deklaratë. Me atë platformë edhe u kushtëzua koalicioni, pastaj lideri juaj Zaev tha se ka mendim pozitiv për platformën e kështu me radhë”, tha deputeti Ilija Dimovski.
Nga ana tjetër nga LSDM kanë vazhduar me akuza se VMRO-DPMNE po e zgjatë seancën dhe me këtë qytetarët humbin.
“Nëse do të ishte formuar Qeveria sot qytetarët do të paguanin më pak energji elektrike, do të kishte rrogë më të madhe minimale, nxënësit nuk do të mësonin për testimin ekstern”, deklaroi Damjan Mançevski nga LSDM.