Gjatë qeverisjes VMRO-BDI, përveç shumë dështimeve në sektorin ekonomik, edhe shkëmbimi tregtar mes Maqedonisë dhe Kosovës ka shënuar rënie dhe dështim, gjithë kjo falë ministrave të Ekonomisë, të cilët rregullisht kanë qenë nga radhët e partisë shqiptare BDI, kanë reaguar nga Lëvizja BESA.
Sipas tyre prej vitit 2011 deri më 2017 shkëmbimi tregtar ka shënuar rënie për 60%: më parë ka qenë rreth 650 milionë dollarë në vit, kurse në vitin e fundit ka rënë në 240 milionë dollarë.
“Kjo rënie vjen si pasojë e marrëdhënieve jo të fuqishme ekonomike mes dy shteteve, si pasojë e moskordinimit dhe moskëmbimit të informacioneve dhe legjislativit, por edhe nga mosdhënia rëndësi e lidhjeve rrugore dhe infrastrukrurore mes Kosovës dhe Maqedonisë. Siç e dimë, edhe pse Kosova i ka filluar punimet për lidhjet rrugore dhe infrastrukturore me Maqedoninë, nga ana e Maqedonisë një projekt i tillë ende nuk ka filluar konkretisht”, thuhet në reagimin e BESËS.
Prandaj Lëvizja Besa konsideron se qeverisja e deritanishme i ka sjellë dëm të madh ekonomik vendit dhe ka ndikuar në uljen e marrëdhënieve ekonomike edhe me vendet fqinje, sidomos me Kosovën dhe Shqipërinë.