Ajo është kurioze për çdo instrument muzikor që prek, sidomos për ata me tela që lëshojnë tinguj origjinal. U largua nga Shqipëria për të vazhduar studimet për kitarë jazz në Francë, por në momentin e parë që preku kontrabas jazz-in ndryshoi zgjedhje. Energjia që ndjeu kur preku këtë instrument nuk i kishte ndodhur me asnjë instrument tjetër. Bëhet fjalë për këngëtaren e jazz-it, Linda Rukaj, vajzën çapkëne, që të gjithë e njohin si “Linda në botën e çudirave”.
Mbrëmjen e djeshme tek “Tulla Center” zëri i saj shoqëroi të rinjtë bashkë me artistët e tjerë, Genti Rushin në piano dhe Enes Bajramliqin në bateri, që luajtën jazz standard dhe kontrabas. Në një intervistë për “Shekulli”-n, Linda Rukaj rrëfen lidhjet e saj me muzikën dhe përpjekjet që është duke bërë për të lënë një shenjë në vendin e saj. Këngëtarja ndalet edhe te marrëdhënia e saj me instrumentet me tela. Teksa na pohon se është e para femër në Shqipëri, që njëkohësisht këndon jazz dhe luan kontrabas, shprehet se kjo gjë është sa interesante dhe sfiduese.
Linda, si i kujton takimet e para me muzikën?
Kam dëgjuar muzikë që në moshë shumë të vogël. Gjithmonë kam kënduar e kam marrë pjesë në aktivitete të ndryshme kulturore, si në shkollë dhe jashtë saj.
Kush e ka spikatur talentin tënd?
Vetë unë (qesh) dhe mësuesi i muzikës në klasë fillore, i cili më vinte gjithmonë në rresht të parë, kur këndonim në kor dhe sidomos kur këndoja si soliste.
Qysh nga viti 2011 studion për kontrabas në një shkollat më reputacion me të mirë të jazzit në Paris. Si ka ndryshuar jeta jote pas largimit nga Shqipëria ?
Ka ndryshuar tërësisht! Në fillim e nisa shkollën për kitarë jazz, më pas ndërrova instrument duke kaluar në kontrabas jazz. Që në momentin e parë që e preka këtë instrument, pata një vibrim dhe energji, që nuk e kisha ndjerë në asnjë instrument tjetër më parë. Megjithëse kitara mbetet gjithmonë instrument tepër i dashur për mua dhe nuk mund të rri dot pa luajtur, e sidomos kur bëhet fjalë për të kompozuar. Çdo instrument muzikor me kuriozon, sidomos instrumentet me tela më pëlqejnë shumë. Një ndër ta është edhe Ukulele, instrument i vogël me 4 tela, i ngjashëm me kitarën, por sigurisht me karakterin e vet, tingull origjinal dhe shumë simpatik. Unë e marr gjithmonë me vete për të luajtur nëpër koncerte.
Parisi është qytet shumë i larmishëm.
Ka një jetë shumë të pasur artistike dhe veçanërisht muzikore. Kur bëhet fjalë për muzikën jazz, Parisi është vendi që i mbledh të gjithë muzikantët nga e gjithë bota. Sidomos muzikantët e jazz-it amerikan, që janë gjithë kohës nëpër koncerte në Paris. Kjo më ka bërë shumë të ndjeshme ndaj kësaj muzike dhe zbulimit të shumë artistëve, të cilët edhe thjesht duke i parë te luajnë muzikë, mëson shumë prej tyre dhe prej energjisë së mirë që ata përçojnë. Mendoj se jo vetëm muzika jazz, por muzika në vetvete si term universal dhe pa emërtime ose etiketa të caktuara, është ajo që më kuriozon dhe e ma bën jetën edhe më interesante, sepse në të gjej edhe ngjashmëritë mes funksionimit të botës, që na rrethon dhe sidomos të marrëdhënieve njerëzore.
Gjatë interpretimit njëherazi këndon dhe luan në instrumente. Sa e është e vështirë është që zëri jot të jetë në harmoni me instrumentet ?
Sigurisht që është e vështirë sidomos kur duhet të këndoj njëkohësisht që luaj në kontrabas. Por është gjithashtu shumë interesante dhe sfiduese, sepse duhet të ndaj trurin në dy pjesë të barabarta dhe të jem e vëmendshme për funksionimin e vokalit edhe të lojës në kontrabas. Mendoj se fakti që isha mësuar ta bëja këtë gjë më parë me kitarën dhe vokalin, besoj se jam pak më e përgatitur tani që këndoj e luaj në kontrabas njëkohësisht. Megjithatë me duhet ta rithem, që e gjithë kjo është sa e bukur po aq dhe shumë e vështirë. Unë sa e kam nisur!
Grupi me emrin “Linda në botën e çudirave” tashmë nuk ekziston më, tashmë je Linda Rukaj Trio. Si u ndanë rrugët mes jush?
Grupi “Linda në botën e çudirave” ka kohë që nuk është më, i përket një periudhe muzikore shumë të bukur në ato kohë që e përjetuam. Ne jemi miq me njëri-tjetrin dhe secili nga djemtë e grupit merret ende me muzikë. Ata janë të gjithë muzikantë dhe njerëz shumë të bukur. Ndërsa, përsa i përket Linda Rukaj Trio, është vendosur emërtimi trio thjesht për faktin, që bashkë me mua do luajnë edhe dy muzikantë të tjerë, që unë i dua dhe i vlerësoj shumë, Gent Rushi muzikant dhe pianist i jashtëzakonshëm, si dhe njohës shumë i mirë i muzikës jazz. Enes Bajramliqi nga Prishtina, baterist me intuitë dhe energji fantastike, muzikant i ndjeshëm dhe shumë artist.
Këtë periudhë në Tiranë dhe Prishtinë kam patur rreth 13 koncerte intensive me formacione të ndryshme trio dhe kuartet, si dhe eksperienca dhe njohje të reja muzikore. Multi-instrumentisti frymor, saksofonisti, flautisti Ermal Rodi, që me prezencën e tij në skenë gjithmonë më ka frymëzuar. Emiljan Dhimo baterist dhe muzikant me eksperiencë, informacion dhe energji. Brikel Guga saksofonist elegant dhe kompozitor shumë i mirë. Elina Duni këngëtarja me zë mëndafshi, artiste dhe person i mrekullueshëm, si dhe pianisti-shpirt Ilir Bajri nga Prishtina, me të cilin patëm një shkëmbim muzikor të bukur dhe ndjesor. Dëshira ime këto kohë ka qenë të luaj dhe të kem eksperiencë muzikore me sa më shumë muzikantë dhe sidomos të mësoj prej tyre. Jam me shumë fat që i kam njohur e tashmë i kam miq dhe që kam luajtur me ta.
A ka një mesazh, që do të përcjellësh përmes muzikës që luan?
Nuk besoj se ekziston ndonjë mesazh, si recetë e gatshme në muzikë. Unë personalisht luaj muzikë, sepse kjo më bën të ndjehem shumë mirë dhe se e kam të nevojshme. Uroj që të bëhet e nevojshme edhe për njerëzit këtu duke parë përtej muzikës.
Çfarë mendon për nivelin e muzikës në Shqipëri?
Nuk e di a jam personi i duhur për të thënë diçka të saktë, por ndoshta më shumë sesa të flasim për nivel muzike, do ishte më mirë të flisnim për mbështetjen që duhet t’u jepet muzikantëve dhe artistëve në përgjithësi.
Dhe nga duhet nisur kjo?
Duke filluar nga hapësirat që këtu mungojnë, serioziteti dhe rëndësia që duhet t’i jepet fonisë së një ambienti ku muzikantët do të luajnë, kjo është me një rëndësi jashtëzakonisht të madhe dhe është problem i përhershëm dhe i pandreqshëm këtu. Respekti që në momentin kur dikush luan, njerëzit të dinë të dëgjojnë, dhe duke përfunduar te pagesat qesharake dhe padrejtësitë, që u bëhen muzikantëve në mënyrë konstante.
Albumi “Jam” ishte një ogur për krijimtarinë tënde, por cilat janë projektet e ardhshme të Lindës në fushën e muzikës?
Albumi “Jam” pasqyron eksperiencën time personale, jetësore dhe muzikore të përjetuar ndër vite në Tiranë dhe dëshirën për ndryshim. Jam gjithë kohës duke punuar vetëm me muzikë. Kam shumë punë që duhet të përfundoj dhe projekte të tjera që më presin, por nuk dua t’i bëj nën stres, po mundohem t’u jap kohën e duhur gjërave dhe mbi të gjitha të kënaqem me muzikën që po bëj dhe të ruaj kuriozitetin e një fëmije për të mësuar gjëra të reja nisur nga dashuria për të mësuar. Kjo për mua është mbi të gjitha gjëja më e rëndësishme. Besoj se shumë shpejt do rikthehem në Tiranë me krijimtari dhe kompozime të reja.
Me origjinë jeni nga Kavaja, por si ka qenë fëmijëria juaj?
Unë mbaj mend shumë kujtime nga fëmijëria ime. Dhe mundohem të ruaj gjithmonë fëmijën brenda meje. Ajo që më vjen ndërmend shumë shpesh është ndjesia e lumturisë, që ndjeja kur shkoja me prindërit në plazh me biçikletë dhe kur hipja e rrija në pemë për të ngrenë mana në oborrin e shtëpisë së gjyshes në Tepelenë.
Si është një ditë e zakonshme e Lindës dhe përveçse muzikës a ke pasione të tjera ?
Më pëlqen të pikturoj ose të krijoj instalacione me materiale nga më të ndryshmet. Të rri e të luaj me macen time, të gatuaj ushqim vegjetarian, të dëgjoj muzikë te Ravi Shankar, të lexoj poezi të Lasgush Poradecit dhe Migjenit. Më pëlqen të shoh filmat e Michel Gondry dhe pikturat e Claude Monet, të thur me shtiza shalle ose batanije për dimër, dhe sidomos të shëtis me biçikletë nëpër rrugët e Parisit natën vonë kur nuk ka shumë njerëz dhe mbi të gjitha kur nuk ka turistë.