Eurokomisari për zgjerim dhe politika fqinjësore, Johanes Han dje ka pasur takime me përfaqësuesit e partive politike që kanë arritur të sigurojnë mandate në përbërjen e re parlamentare, shkruan Tetova1.
Han ka injoruar dhe nuk ka respektuar vetëm liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi me të cilin fillimisht është paralajmëruar se do të takohet, por më vonë e ka ndryshuar mendimin.
Përndryshe, Johanes Han dhe tre euro deputetët që ishin pjesë e ekipit të tij takimet në Shkup i kanë nisur me përfaqësuesit e Lëvizjes Besa ku kanë dhënë porosi të rëndësishme që qeveria shumë shpejtë duhet formuar.
Johanes Han ka përsëritur qëndrimet se duhet respektuar rezultati zgjedhor dhe Kushtetuta e ligjet e Republikës së Maqedonisë.
Ajo që ra në sy të opinionit ishte takimi i euro komisarit Johanes Han me përfaqësuesit e Aleancës për shqiptarët ku në takim nga kjo e fundit mori pjesë vetëm lideri i LR PDSH-së dhe kryetari i RDK-së, Vesel Memedi. Në ekipin e Aleancës për shqiptarët nuk dukej askund përfaqësuesi i partisë UNITETI që është pjesë e kësaj Aleance.
Kur e kemi parasysh se po zihen shumë gjëra në Aleancën për shqiptarët dhe se kjo Aleancë ose do të shkrihet ose do të zhbëhet nga skena politike, si dhe pakënaqësitë e panumërta në mesin e përfaqësuesve të Aleancës ndaj partisë UNITETI për rezultatin zgjedhor në njësinë zgjedhore numër 1 dhe 2, duket e perceptueshme mungesa e përfaqësuesve të partisë UNITETI në këtë takim me rëndësi.