Edhe pse ne shqiptarët nuk kemi skelete në dollap, si serbët, prapëseprapë historia jonë është e mistifikuar në një pjesë të madhe për ato arsye që, ma do mendja, i dimë tani të gjithë
Një stuhi të vërtetë mediatike shkaktoi intervista që Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit në Serbi, i dha revistës kroate “Vijenac”. Fjala vjen, në intervistën e saj, ajo pohon se: për shkatërrimin e ish-Jugosllavisë dhe përgatitjen e konfliktit të përgjakshëm që pasoi është elita kulturore serbe e mbledhur rreth shkrimtarit Dobrica Çosiç; Fakulteti Juridik i Beogradit ishte një nga shtyllat e projektit serbomadh; Kisha ortodokse serbe para se të jetë institucion fetar është institucion politik; po kjo Kishë nxit antisemitizmin; serbët jetojnë me iluzionin se ata si popull janë mbretëria e Ballkanit; serbët duhet të gënjejnë në mënyrë sa më mjeshtërore për të realizuar qëllimet e tyre (tezë kjo e ngjizur prej Çosiçit); komunizmi është një proces historik për të cilin duhet folur analitikisht dhe jo në mënyrë emotive; nga mungesa e njohurive është krijuar miti për Kosovën, për heroizmin serb dhe mbretërinë qiellore; dhe për ta mbyllur me një crescendo që i la të gjithë gojëhapur, ajo u shpreh: krejt historia serbe është një gënjeshtër e madhe.
Ç’është e vërteta, Biserko është e njohur në mjedisin intelektual e mediatik serb, por edhe më gjerë, për qëndrimet e veta të troçta dhe antikonformiste, madje edhe për tema që përbëjnë tabu dhe konsiderohen sakrilegj nga shoqëria bashkëkohore serbe. Përtej faktit që intervista iu dha një organi mediatik kroat, bash në kohën kur politikanët e të dy vendeve janë kapërthyer në një luftë deklaratash rreth operacionit ushtarak “Oluja” (Shtrëngata), të kryer prej ushtrisë kroate në gushtin e vitit 1995 – për kroatët është ditë çlirimi dhe si e tillë kremtohet, ndërsa për serbët ditë zie e vajtimi, duke qenë se shkaktoi shpërnguljen e mëse dyqindmijë serbëve prej Krajinës – Sonja Biserko merr e çmonton një e nga një mitet e historiografisë zyrtare serbe dhe sendërtuesit e tyre, politikanë e intelektualë. Qëllimi i saj është që, me një gjuhë të qartë dhe me logjikë të mprehtë, gjërat të thuhen ashtu siç janë, larg manipulimit për qëllime politike dhe mistifikimit prej historianëve me frymëzim nacionalist. Populizmi dhe nacionalizmi, janë dy të këqiat, sipas saj, prej të cilave lëngon politika edhe sot e kësaj dite në Ballkanin e periudhës paskomuniste.
Le ta marrim dhe ta shkëpusim shprehjen e Biserkos nga konteksti serb dhe ai ish-jugosllav për ta vendosur në një suazë të re, ballkanike e shqiptare, për të këqyrur nëse i shkon pas shtatit apo është një farë shtrati i Prokustit. Thënë më shkoqur, a mund të thuhet edhe për historinë tonë të shkruar që është një gënjeshtër e madhe? Një gjë është e vërtetë, historinë te ne e kanë shkruar kurdoherë fitimtarët, thënë ndryshe, për shkaqe të njohura historike e politike ata që kanë qenë në pushtet. Pra, historiografia ka vetëm një fytyrë, atë zyrtare. Si e tillë ka pasur dy pamje: e para, denigrimin dhe gjuhën e urrejtjes kundrejt kundërshtarit, vendas ose të huaj dhe, së dyti, lartësimin deri në kufijtë e hyjnores e fitimtarëve dhe vlerësimin absolut, shembullor, të aksionit të tyre. Paradoksi është që këto tipare i vishen jo vetëm personazheve dhe ngjarjeve bashkëkohore, por edhe atyre që i ka mbuluar mjegulla dhe pluhuri i kohës, madje, ngandonjëherë, edhe më shumë këtyre të fundit. Nisur nga ky këndvështrim historianët i kanë shërbyer me bindje gati të plotë politikës dhe njerëzve të veshur me pushtet. Kjo gjë u shkon për shtat jo vetëm historianëve të periudhës së komunizmit, por, për fat të keq, edhe një pjese të mirë të atyre të ditëve të sotme. Kur nuk u ka mjaftuar servilizmi politik për ta bërë këtë gjë, atëherë i janë kthyer nacionalizmit për ta shtënë në punë. Për ta ilustruar këtë sjellje tonën në lëmë të historisë, ma do mendja që ia vlen të sjellim këtu rastin e historianit zviceran Oliver Jens Schmitt. Në kohën kur Schmitt-i u paraqit para botës akademike shqiptare dhe lexuesve me librin rreth statuteve mesjetarë të Shkodrës, ai u përshëndet si një yll në ngjitje dhe vazhdues i denjë i emrave më të spikatur e më të nderuar të albanologjisë. Por kaluan pak vite dhe kur Schmidti, këtë herë, botoi një monografi politike për Skënderbeun, ku e shihte nga një kënd të pandriçuar më parë figurën dhe personalitetin e tij, atëherë, kundër tij, nuk e teproj po të them, u ngrit një histeri mbarëshqiptare, vetëm e vetëm ngase heroi ynë kombëtar dilte nga ikonografia zyrtare. Mbi analizën dhe gjykimin shkencor u ngritën pasionet nacionaliste, siç ndodh rëndom në kësi rastesh dhe deliri i shndërruar në paranojë shihte në të katër anët përbetime antishqiptare dhe armiq imagjinarë.
Edhe pse ne shqiptarët nuk kemi skelete në dollap, si serbët, prapëseprapë historia jonë është e mistifikuar në një pjesë të madhe për ato arsye që, ma do mendja, i dimë tani të gjithë.
/Mapo