Familja Lusjani nga Vizbegu për momentin ka mbetur pa kulm mbi kokë. Fatkeqësia ka ndodhur orët e para të ditës së martë, kur familja 8-anëtarëshe ishin në gjumë. Kryefamiljari, Rrahim Lusjani tregoi që nga shkaqe ende të panjohura, shtëpia mori flakë me një shpejtësi të madhe dhe anëtarët me shumë vështirësi shpëtuan nga flaka, ndërsa gjithçka tjetër brenda saj është bërë hi.
“Ishin momente të vështira, ndodhi zjarri, nuk di si ta përshkruaj. Ishim të gjithë anëtarët e familjes në gjumë, 1: 30 ishte ora…Familjen, babanë dhe nënën i kam pasur tek pjesa këtu… në krah e kam mbajtur baban se zjarri në çdo moment zgjerohej. Kur i nxjerra ato, fëmijët bashkëshortja këndej i ka nxjerrë…policia ka qenë, nuk e di shkakun se sakt cili është problemi, ata thonë se për shkaqe elektrike, por ende nuk e ka konstatuar askush se cili ka qenë problemi”, tha kryefamiljari Rrahim Lusjani.
Lusjani i brengosur tejmase shpjegoi se nga shtëpia e tyre e vjetër ju kanë ngelur vetëm muret e djegura, ndërsa tani nga mungesa e një shtëpie për t’u strehuar, familjarët janë gjithë të shpërndarë tek të afërmit e tyre.
“Përveç antarëvetë familjes që kanë shpëtuar, asgjë tjetër. Gjithçka tjetër është bërë hi…Asgjë tjetër nuk më ka shpëtuar, dokumentacioni, të hollat dhe gjithçka tjetër…Për momentin un po qëndroj tek vëllai, fëmijët tek miqtë, ndërsa nëna dhe babai tek motra në fshatin Luboten”, sqaron Lusjani.
Edhe zjarrfikësit sqaron kryefamiljari erdhën me 40 minuta vonesë, ndërsa ajo që edhe më shumë e ka befasuar atë, ishte momenti kur ka shkuar të kërkoj ndihmë për shtëpinë e djegur dhe përgjigjja që kishte marrë ishte se nuk kanë të drejtë të ofrojnë ndihmë derisa të formohet Qeveria.
“Isha në disa institucione dhe nga një institucion qw nuk dua t’ia përmend emrin pak u befasova sepse nuk më thanë që jo nuk ka ndihmëm por më thanë se deri sa të formohet qeveria na ka ardhur një urdhër që për momentin të mos japim asnjë ndihmë”, thekson Lusjani.
Ata që kanë pësuar më së shumti nga kjo ndodhi ishin 4 fëmijët e kësaj familje, të cilët janë ende të traumatizuar nga fatkeqësia e asaj nate. Familja Lusjani kanë ngelur pa strehë, andaj ata kërkojnë që gjithë dashamirët t’ju ofrojnë ndihmë që sadopak të mund ta zbusin trishtimin që kanë përjetuar.
Emine Ismaili /SHENJA/