Qyteti i Shkupit ka filluar rikonstruimet intensive të rrugëve në vendbanimin e Inxhikovës, të cilat ishin të dëmtuara nga vërshimet e vitit të kaluar. Disa prej tyre janë rikonstruar, ndërsa pjesa tjetër paralajmërohet që të përfundojnë për një periudhë shumë të shkurtër.
Por, ndryshe zhvillohen punimet me rrugët e fshatit Hasanbeg, të cilat po ashtu ishin të dëmtuara nga vërshimet. Pamjet e rrugës kryesor të këtij fshati janë skandaloze. Rruga është përplot plasaritje dhe gropa. Gjendja e këtillë e rrugës, vështirëson lëvizjen e veturave dhe autobusave, të cilët vazhdimisht qarkullojnë në atë pjesë, por edhe të këmbësorëve.
Banorët e këtij fshati ankohen, duke thënë se punimet kanë filluar para një viti, por se të njëjtat zvarriten dhe ajo u shkakton shumë probleme.
“Është mjaft problem. Nuk bëhet fjalë për një muaj apo dy por për një vit. Problem andej, problem këndej. Njëri e prish ndërsa tjetri e rregullon. Nuk e di a nuk mund të mirren vesh, ai tekniku a ka shef, apo asgjë s’ka. Gjysma andej, gjysma këndej punë asgjë nuk bëjnë”, thotë njëri nga banorët.
“Shkaktojnë problem. Pluhur sa të duash. Punojnë nga pak”, thotë një banor tjetër.
Banorët më tej thonë se çdo ditë ka punëtorë megjithatë puna nuk është efikase.
“Punohet, 5 ose 6 persona në njërën pjesë, 5 ose 6 në tjetrën, në mbrëmje shkojnë dhe punë nuk ka të mbaruar. Punojnë rregullisht por puna nuk është efikase. Duhet të jenë aktivistë të mirë të punojnë jo vetëm të shohin kur është koha për të ikur”, thotë njëri nga banorët e anketuar.
Kryetari i Qytetit të Shkupit disa herë ka premtuar se rruga do të rikonstruohet tërësisht, megjithatë punimet në të zvarriten me muaj të tërë.
Teuta Buçi /SHENJA/
Inxhikova shtrohet me asfalt, Hasanbegu mbetet… by tvshenjaofficial