Çarshi xhamia e Prilepit, e cila pësoi nga konflikti ndëretnik që ndodhi në Maqedoni në vitin 2001, me vite pret të riparohet. Objekti që i gjendet në mes të qytetit i përket periudhës së Fatih Sulltan Mehmetit, pret në ankth t’i caktohet fati , shkruan Agjencia Anadollu.
Myftiu i Prilepit, Shefket Imeroski, në një bisedë për Agjencinë Anadollu tha se Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë ka tre marrëveshje me Ministrinë e Kulturës për riparimin e xhamisë, edhe atë në vitin 2006, 2010 dhe 2012. Megjithë këtë, ai shton se nuk është arritur asnjë rezultat. Imeroski theksoi se në lidhje me çështjen e kanë informuar edhe zv/kryeministrin e Turqisë Veysi Kaynak gjatë vizitës së tij në Maqedoni që e realizoi për hapjen e Xhamisë Hajdar Kadi në Manastir në nëntor të vitit të kaluar.
Ndërkaq, Mustafa Topallovksi, muftiu i qytetit nga viti 2003 deri në vitin 2015, theksoi se më herët kanë marrë pëlqim nga Ministria e Kulturës për ndërtimin e xhamisë, mirëpo, siç tha ai, mungesa e vullnetit politik ka penguar realizimin e kësaj.
“Kërkojmë nga institucionet relevante riparimin e xhamisë. Në të njëjtën mënyrë, kërkojmë ndihmë nga Turqia dhe personat që kanë migruar nga rajoni në Turqi, që xhaminë ta kthejmë në gjendjen para vitit 2001. Besoj se Turqia mund të zgjidh këtë problem. Mund të na e kthejë prapa këtë monument, këtë xhami dhe minare me gjurmë osmane. Me ndërtimin e xhamisë do të kthehet edhe karakteri i qytetit”, tha Mustafa Topallovksi, muftiu i qytetit nga viti 2003 deri në vitin 2015.
Xhamia është ndërtuar në vitin 1475, ndërsa ndodhet brenda Çarshisë së Prilepit. Shekuj pas ndërtimit, ajo hyri në mesin e objekteve historike që u prekën nga konflikti ndëretnik i vitit 2001 në Maqedoni. Edhe pse kanë kaluar vite të tëra, ende nuk është bërë hapi konkret për riparimin e xhamisë, teksa ngelet enigmë se kur xhamisë do t’i kthehet pamja e dikurshme madhështore. Derisa më parë thuhej se nuk ka vullnet politik për riparimin e xhamisë, kriza politike aktuale që ka përfshirë vendin i bën të vështira punimet në këtë drejtim. Aktualisht, xhamia qëndron në muret e shkatërruara pjesërisht dhe me minaren e thyer, kurse ngelet pre e shumë sjelljeve të pahijshme për shkak të mungesës së interesimit dhe mosruajtjes së saj. Brenda xhamisë shëtiten pijanecë, narkomanë dhe kafshë. Shumë herë ajo është përballur me rrezikun e zhdukjes së tërësishme, kurse përmes rrënimit të mureve, dëshirohet varrosja e saj në histori.
Çarshi xhamia e Prilepit pret caktimin e fatit… by tvshenjaofficial