Histeria që ka përfshirë disa qarqe maqedonase kundër gjuhës shqipe, nuk ka anashkaluar as shkollat. Drejtori i një shkolle me nxënës maqedonas është filmuar duke u mbajtur ligjëratë paralajmëruese nxënësve në shkollë për rrezikun nga gjuha shqipe, shkruan Gazeta Lajm.
“Nëse ndodh aplikimi i gjuhës shqipe, nëse ndodh vendosja e simboleve shqiptare në monedha, nëse ndryshon himni, flamuri…”, dëgjohet duke folur drejtori, deri sa nuk ndërpritet nga një nxënëse, e cila i thotë: “Drejtor, a nuk është turp të mbani fjalime politike në shkolla?”.
Ndryshe, kjo histeri është e theksuar te kuadro të emëruara nga koalicioni qeveritar VMRO-BDI, që len vend për të dyshuar se këto dy parti me apo pa vetëdije kanë kultivuar bashkërisht një albanofobi të egër në Maqedoni.
Në rrjetet sociale është njoftuar se bëhet fjalë për drejtorin e Gjimnazit shtetëror “Mirçe Acev” në Prilep. Ministër i arsimit në Maqedoni është kuadri i BDI-së, Pishtar Lutfiu, i cili deklarohet shqiptar. Të shohim se çfarë masa do të ndërmerren për ndriçim të këtij skandali!