Partitë e shumicës së re parlamentare, LSDM e BDI janë vënë në kërkim të gjetjes finale për zgjidhjen e ngërçit politik. ALSAT mëson se partitë pas takimeve intensive të këtyre ditëve, kanë gjetur një formë për vazhdimin e seancës konstitutive të Kuvendit. Liderët Ahmeti e Zaev janë takuar së fundmi, pas konsultimeve të grupeve të punës, i iniciuar menjëherë pas njoftimit të djeshëm nga presidenca prej nga thanë se nuk janë tejkaluar ende pengesat për dhënien e mandatit.
ALSAT mëson se partitë, para se të marrin këtë veprim, duhet të jenë të gatshme jo vetëm në program, por edhe në përbërjen e mundshme qeveritare që do të dorëzojnë në Kuvend. Nuk dihet ende momenti i qartë se kur do të ekzekutohet kjo zgjidhje mes dy partive, dhe nëse ka ndonjë lidhje me largimin e presidentit për disa ditë në vizita zyrtare. Megjithatë, ALSAT sot kërkoi qëndrime edhe nga Veljanovski, por nga kabineti i tij theksuan se kryetari në largim i Kuvendit mund të vazhdojë seancën konstituive për zgjedhjen e Kryetarit të ri, atëherë kur partitë politike të propozojnë kandidat për anëtarë të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime.
Në pjesën e parë të seancës konstituive më 30 dhjetor, përfaqësuesit e grupeve parlamentare nuk mundën të binin dakord për anëtarët e komisionit, dhe kjo ishte arsyeja që Veljanovski ndërpreu takimin koordinues me arsyetimin se nuk u përmbushën kërkesat procedurale. Në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime, VMRO-DPMNE duhet të ketë 6 anëtarë, LSDM-ja 6 anëtarë kurse BDI-ja dhe BESA nga një anëtar. Që i njëjti komision të jetë funksional dhe të mund të votohet kryetari i ri, do të mjaftonin edhe vetëm 7 deputetë nga 13 sa janë gjithsej. Nga LSDM-ja për Alsat M pranojnë se çështja e anëtarëve të këtij komisioni është akoma temë konsultimi në parti, kurse nga Besa thonë se tashmë kanë propozuar deputetin Zekirija Ibraimi.
Nga VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja nuk ka asnjë të dhënë në lidhje me kandidatët e mundshëm të tyre. Partitë e shumicës parlamentare kanë pranuar se për herë të parë, Kreu i Kuvendit mund të jetë nga radhët e partive shqiptare. Nga ana tjetër, partitë akoma nuk kanë shpalosur planet e tyre për zhbllokimin e Kuvendit. Zaev dhe Gruevski akuzojnë njëri tjetrin për nxitje të përçarjeve në baza etnike mes qytetarëve.