Ben Blushi
Vetëm dy shqiptarë po bëjnë sikur fituan nga humbja e Shqipërisë ndaj Serbisë.
I pari është Ballist Morina.
Ai humbi mundësinë për të parë ndeshjen, por konsolidoi famën e dikujt që po na ndihmon të shkojmë në Francë.Nga ndeshja e mbrëmshme u kuptua se tre pikët që morëm në Beograd dhe që po na mbajnë ende në lojë,janë fryt i fluturimit të dronit të tij të çmendur.
Ai na i lehtësoi tre pikët që koha provoi se ishin shumë të vështira për ti fituar në fushë.
Megjithatë Ballist Morina nuk e ka zgjedhur pozicionin që ka.
Jam i bindur se nuk do donte ta kishte parë ndeshjen në qeli,por fati e desh që emri i tij të fluturonte mbi stadium megjithëse këtë herë nuk e pati dot fuqinë magjike të herës së parë. Dje ai ishte një dron i rrëzuar përdhe.Edhe serbët në Beograd nuk e rrëzuan në mënyrë aq profesionale siç bëmë ne.
Por Ballist Morina nuk po kërkon asgjë në shkëmbim dhe nëse kjo nuk e bën modest, të paktën e bën njërëzor.
I dyti shqiptar që po përpiqet të na bindë se edhe ai ka fituar është Edi Rama.
Këtë të dytin nuk e detyron askush të japë shpjegime për kenaqësinë që ka marrë nga humbja. Megjithatë ai po e bën.Me patos, me këmbëngulje, me protokoll, me stil, i qeshur, i ngjeshur dhe i veshur. Enkas.
Ky kërkon patjetër të na thotë se ai nuk është pjesë e humbjes,se humbja ishte faj i atyre që ishin në fushë, ndërsa sa i takon pjesës tjetër ,dekorit, korit, rendit, vendit, policimit, mobilizimit, organizimit, ushqimit, parkimit, largimit, qetesisë dhe kënaqësisë së selfisë,këto të gjitha pra, ishin meritë e tij.
Edi Rama ka disa ditë që na thotë se kundër serbëve kemi bërë dy ndeshje.Një në fushë dhe një jashtë fushe.Ne kemi humbur të parën,ai ka fituar të dytën.
Kjo ua bën humbjen edhe më të dukshme atyre që ishin në fushë.
Mburrja e padurueshme e Edi Ramës për të gjetur lavdi edhe në disfatë është edhe më e papranueshme. Është acaruese. Është tregues i një provincializmi të cilin nuk e kemi hak. Aspak. Edi Rama i tha shqiptarëve, se në Elbasan askush nuk u rrah,nuk u hodh asnjë gur,asnjë shqiptar nuk guxoi të ngrinte zërin për të sharë një serb.
Kjo është një madheshti e ngritur mbi një hidhërim që atij i shkon, por ne na lëndon.Pyetja është pse dyshonte Edi Rama se të gjitha këto do të ndodhnin?
Pse i dukej sikur të gjithë ne që ishim në stadium kishim një thikë në brez,një gur në xhep apo një sharje në gjuhë? A thua vallë na njeh kaq pak? Cilin komb mendon ky se po përfaqëson?
A ka ngatërruar kombin, apo ka ngatërruar punën? Unë besoj se ai ka ngatërruar punën, që i ka caktuar kombi.
Me fjalimin e papërshtatshëm që mbajti, tregoi se beson se shqiptarët e kanë zgjedhur si një njëri të cilin historia i ka caktuar një mision:të përmbajë instiktet e kombit të vet të marrë. Dhe meqë dje e bëri,doli ta shpallë botërisht.
Natyrisht ky sukses që politika e quan policin etik dhe shkenca mund ta konsiderojë një mutacion estetik,nuk mund të lihej në heshtje. Dhe Edi Rama nuk heshti.
Ai mori përsipër suksesin mbi harbimin nacional dhe na la ne të tjerëve tentacionin nacional të gabimit. Ai tha se, nëse nuk do ishte për meritën e tij ne do kishim dalë nga kafazi dhe do i kishim shqyer serbët duke ua hedhur kockat në Shkumbin.
Ja pra që e ka bërë detyrën.Dhe ja pse duhet të jetë në dëtyrë:për të na qetësuar,për të na ndryshuar,për të na mbrojtur nga tërbimi që kemi në gjak.
I ka rënë fatkeqësia të drejtojë një vend të marrësh të cilët po mbahen në zap me vështirësi të mëdha që bota duhët tia njohë si meritë.Ndërsa ne si punë.
Edi Rama dje foli si gjykatës i etikës sonë kombëtare.Ai nuk u mburr për ne.Ai u mburr për vete. Ai u soll si një zbutës kombësh.Nëse bota nuk ka njohur një të tillë ja ku është.I veshur,i qeshur dhe i ngjeshur siç mund të ishte çdo zbutës pasi del nga cirku ku i duhet të punojë. Por mëgjithatë unë nuk bësoj se e ka bërë me qëllim.Nëse kjo që po them mund të duket ngushëlluese në fakt nuk është.
Edi Rama nuk na ka ulur ne. Ai ka dashur të ngrejë veten.Nuk është pra një mision, është një zakon.
Por gjeti ditën më të keqe për të na kujtuar diçka që e dimë.Dhe meqë gjeti ditën më të keqe, ditën e humbjes,bëri punën më të rëndomtë që dikush mund të bëjë në një stadium.
U mburr me humbjen.