Programit qeveritar të prezantuar nga lideri i LSDM-së Zoran Zaev, iu kundërpërgjigj menjëherë oponenti i tyre politik VMRO-DPMNE. Deputeti i kësaj partie Antonio Milloshoski në konferencë për mediat deklaroi se me propozimin e programit të qeveritar, Zoran Zaev tenton të manipulojë qytetarët dhe e rrezikon sovranitetin e shtetit.
“Zoran Zaevi mendon se qytetarët janë naiv se frazat e tilla për debate të ardhshme ekspertësh do ta relativizojnë pozitën e tij ku ai pranon një shantazhim i cili është në dëm të unitaritetit të shtetit dhe stabilitetit të shtetit. Manipulimet e tij për gjoja diskutime ekspertësh me eskpertë të tipit të Lubomir Frçkovskit dhe Osman Kadriut janë vetëm një tentativë fëmijërore për ti mashtruar edhe njëherë qytetarët”, deklaroi Milloshoski.
I pyetur se si e komenton deklaratën e nënkryetarit të BDI-së Izet Mexhiti, se edhe VMRO-DPMNE e ka pranuar në tërësi platformën e partive shqiptare, përveç pikës për Prokurorinë publike speciale, Milloshovski tha se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.
“Zotëri Mexhiti, me siguri është përfaqësuesi i vetëm i BDI-së ndaj të cilit udhëhiqet hetim në prokurorinë speciale publike, ndoshta ajo ndikon në qëndrimet e tij por nuk jemi të sigurtë. Ajo që VMRO-DPMNE ka për ti thënë opinionit është që nuk është biseduar për platformën nga Tirana, e cila u dënua që nga momenti i parë. Bisedohej për përdorimin e gjuhëve ku së paku 20 përqind janë të bashkësisë jo shumicë”, tha Milloshoski.
Milloshovski deklaroi se VMRO-DPMNE i ofroi edhe njëherë LSDM-së zgjedhje të parakohshme parlamentare për tu dëshmuar nëse qytetarët i mbështesin politikat e LSDM-së ose VMRo-DPMNE-së.
Mefail Ismaili /SHENJA/
Milloshoski: Zaev po manipulon opinionin by tvshenjaofficial