Nikolla Gruevski nuk u paraqit në gjykatë për rastin “Shuplakat e Zhernovskit” me arsyetimin se po pret vendimin e Këshillit të Prokurorëve për t’i ndërruar prokuroret Fatime Fetai dhe Katica Janeva. Seanca e sotme u anulua pasi asnjëri prej 15 të akuzuarve nuk ishte prezent dhe nuk kishte dorëzuar arsyetim për mungesën. Avokati i Gruevskit, Janakievskit dhe 13 të tjerëve, Nikolla Dodevski tha se është e kotë që të sillen të dyshuarit kur dihet se seanca do të anulohet pasi nuk ka kushte për zhvillimin e saj, duke lënë të kuptohet se vendimin për të mos ardhur e kanë marrë kokë më vete pa dhënë asnjë arsyetim.
“Për shkak të parashikimeve në proces, kur e dimë prej përpara se nuk ka kushte. 15 të akuzuar të vijnë vetëm për të parë se nuk ka kushte për seancë, do të ishte keqpërdorim i të drejtave dhe kohës së procesit. Pasi mbrojtja vëren se nuk ka kushte, e ka për obligim që ti njoftojë të akuzuarit dhe të mos vijnë”, tha avokati Nikolla Dodevski.
Prokurorja Katica Janeva nuk deshi të komentojë konkretisht mosardhjen e Gruevskit dhe të dyshuarve të tjerë por u ankua se për shkak të ndodhive si kjo e sotshme, tashmë një vit ata nuk po arrijnë dot të zhvillojnë asnjë proces gjyqësor, të nisin shqyrtimet kryesore, por gjithçka po shkon me obstruksione, me pengesa.
“Nuk mund tu them për këtë dhe nuk është me rëndësi. Më me rëndësi është që ti çojmë lëndët përpara. Gjykata të punojë. Më me rëndësi është që ne të fillojmë të shqyrtojmë lëndët tona. Tashmë një vit e gjysmë, ndoshta edhe më tepër prokuroria jonë nuk ka vendosur as edhe një fjalë në procesverbal nga shqyrtimet kryesore. Në asnjë lëndë. Kjo për neve është problemi më i madh”, prokurore speciale Katica Janeva.
Gjykatësja Tatjana Mihajllova e cila së fundmi dha dorëheqja nga posti i ushtruesit të detyrës kryetar i Gjykatës Themelore të Shkupit, mohoi të jetë selektive dhe në mbrojtje të dikujt pasi siç tha, ajo punon në mënyrë të njëjtë në të gjitha proceset. Aktakuza e PSP kundër Gruevskit, Janakievskit dhe disa anëtarëve të VMRO DPMNE-së ka të bëjë me porosinë e Gruesvkit për dhunë ndaj ndaj kryetarit të Komunës Qendër, plan ky që ishte ekzekutuar nga Mile Janakieski. Kryetari i Komunës Qendër Andrej Zhernovski dhe anëtarët e Këshillit Komunal të Qendrës gjatë seancës së ardhshme do të thirren si dëshmitarë. Seanca e ardhshme do të jetë më 3 maj.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
Anulohet seanca për rastin “Shuplakat”, nuk… by tvshenjaofficial