Gjatë konferencës për shtyp të LSDM-së, ku Zoran Zaev sot shpalosi programin e Qeverisë së re, nuk përfshihet asnjë nga pikat e platformës së partive politike shqiptare, shkruan SHENJA.
Duke folur për ndryshim dhe vendosje të dygjuhësisë në bankënotat e Republikës së Maqedonisë, Zaev tha se ka konsultuar ekspertët juridik, dhe ka vendosur se ndryshimi eventual i tyre nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.
“Denarët, bankënotat, shfrytëzohen në tërë territorin e Republikës se Maqedonisë, dhe përdorimi eventual i gjuhës së ndryshme nga maqedonasja është në kundërshtim me dispozitat kushtetuese për përdorimin e gjuhës maqedonase dhe gjuhës të cilën e flasin më shumë se 20 për qind të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, tha Zaev.
Të njëjtën përgjigje, Zaev e kishte edhe për uniformat e forcave policore dhe ushtarake të vendit.
“Princip themelor në polici dhe armatë është standardizimi i uniformës dhe bërja e dallimeve në uniformë nuk është në pajtueshmëri me dispozitat kushtetuese”, tha Zaev.
Ndonëse Zaev thoshte se do të sillet ligj për avancimin e përdorimit të gjuhëve për bashkësitë e vogla etnike, duke mos e veçuar gjuhën shqipe, pas përgjigjeve të Zaevit se nuk do të ketë ndryshime në bankënotat dhe uniformat, pasonin duartrokitje në shenjë miratimi nga simpatizantët e LSDM-së të pranishëm në sallë.
Zaev u pyet edhe për kryetarin e Kuvendit, për të cilin u përfol se do të jetë shqiptarë. Zaev nuk premtoi një gjë të tillë, por tha se primare për të është që kryetari i Kuvendit të ketë kapacitet të mjaftueshëm.
“Nuk kam paragjykime për përkatësinë etnike të Kryetarit të Kuvendit apo cilitdo institucion tjetër. Si mandatar që pres të kem shansin për formimin e Qeverisë, un pres nga njerëzit të kenë kapacitet”, theksoi Zaev.
Ekspertët, më saktësisht historianët, Zaev i përmendi edhe kur u pyet për pikën e platformës së partive politike shqiptare që ka të bëjë me gjenocidin ndaj shqiptarëve.
“Siç e shihni, un nuk e përmenda dhe ajo nuk do të jetë pjesë e programit të Qeverisë. Sërish kjo është në sferën ku ka nevojë debat, por kjo është një debat të cilin duhet ta bëjnë historianët”, tha Zaev.
Duke folur për simbolet e shtetit, flamurin, himnin dhe stemën, Zaev tha se qëndrimi i tij është kundër ndryshimit.
“Qëndrimin tim për simbolet e shtetit e dini, personalisht jam kundër. Po kush jam un që të pengoj debatin?!”, tha Zaev.
Numri një i LSDM-së tha se fillimisht të gjitha çështjet duhet të vendosen në Kuvend. E edhe nëse votohet, theksoi Zaev, Ivanov ka të drejtë të vendosë veto mbi çështjet konkrete.